Skip to content

Vuçiç: Zgjedhjet e parakohshme në Serbi do mbahen më 25 tetor

640 0 screenshot 2026 09 09 091621 1788938190

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 25 tetor 2026.

Në një intervistë për televizionin shtetëror RTS, Vuçiç deklaroi se do të nënshkruajë dekretin për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare dhe shpalljen e zgjedhjeve. Më herët, ai kishte deklaruar se votimet mund të zhvilloheshin më 18 ose 25 tetor, ndërsa data përfundimtare është përcaktuar më pas.

“Uroj të gjithëve një lojë demokratike”, është shprehur Vuçiç, duke iu referuar procesit të ardhshëm zgjedhor.

Zgjedhjet e parakohshme zhvillohen pas një periudhe të tensionuar politike në Serbi, ndërsa lëvizja studentore ka paralajmëruar pjesëmarrjen në garën elektorale dhe pritet të jetë një prej sfiduesve kryesorë të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Në intervistën për RTS, Vuçiç foli gjithashtu për ceremoninë mortore të Ratko Mlladiç. Ai tha se shteti kishte ofruar ndihmë për aspektet e sigurisë dhe logjistikës, në mënyrë që ceremonia të zhvillohej pa probleme.

Presidenti serb shtoi se nuk dëshironte t’u dërgonte boshnjakëve mesazhe të ngjashme me ato që, sipas tij, Sarajeva po i dërgon Banjallukës dhe popullit serb në Republikën Srpska.

Zgjedhjet e 25 tetorit pritet të jenë një moment i rëndësishëm për skenën politike serbe, veçanërisht në kushtet e përballjes mes forcave qeverisëse dhe lëvizjes së re të studentëve.