Elseid Hysaj mund të vijojë karrierën jashtë Italisë.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili është pa kontratë pas përfundimit të aventurës me Lazion, ka marrë oferta nga disa klube në Rusi dhe po shqyrton mundësinë për të luajtur në kampionatin rus.
Elseid Hysaj është në kërkim të klubit të ri pas përfundimit të aventurës me Lazion më 30 qershor.
Sipas mediave italiane, mbrojtësi shqiptar ka marrë oferta nga disa skuadra të kampionatit rus dhe po e vlerëson seriozisht këtë mundësi.
Pas më shumë se një dekade në futbollin italian, Hysaj mund të nisë një kapitull të ri në karrierë. Ai e nisi rrugëtimin në Itali me Empolin, përpara se të transferohej te Napoli dhe më pas te Lazio.
Me Napolin, mbrojtësi shkodran zhvilloi 223 ndeshje, ndërsa gjatë periudhës së tij te Lazio regjistroi 131 paraqitje. Hysaj ka qenë gjithashtu pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare, me 99 ndeshje të luajtura me fanellën kuqezi.
Tashmë, Rusia shihet si një nga destinacionet e mundshme për vazhdimin e karrierës së tij. Ende nuk është bërë i ditur emri i klubit që ka shfaqur interes për mbrojtësin shqiptar, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë qartësi për të ardhmen e tij.
Në kampionatin rus luan edhe një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, pjesë e Spartakut të Moskës.
