Protesta e banorëve të fshatrave të zonës naftëmbajtëse të Marinzës është zhvendosur mëngjesin e sotëm përballë sheshit satelit 3 të kompanisë Bankers Petroleum. Protesta e dy ditëve më parë pranë zyrave në vendburim nuk solli asnjë negociatë me përfaqësuesit e kompanisë.
Përballë kësaj situate, banorët i shprehën njëzëri për të vijuar protestën e tyre me bllokimin e shesheve. Ashtu siç kishin paralajmëruar, ata u mblodhën sot para sheshit satelit tre, duke hapur derën me forcë. Ata u shprehën njëzëri se nuk do të lejojnë që të përgjysmohet vlera e qirasë së tokës nga 4 milionë për dynym në dy milionë.
Protestuesit ndodhen tashmë brenda ambienteve të sheshit satelit tre, në përpjekje për të bllokuar punën.
