Një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” është pezulluar nga detyra, pasi u publikua një video ku shfaqet duke goditur me grusht një protestues të prangosur gjatë tubimit të sotëm në Tiranë.
Ngjarja është filmuar në Rrugën e Durrësit, ndërsa pamjet janë publikuar në rrjetet sociale. Pas publikimit të videos, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e efektivit.
Bëhet fjalë për inspektorin J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Krahas pezullimit, ndaj tij ka nisur edhe një hetim disiplinor për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës.
Policia e Shtetit ka deklaruar se nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit dhe standardeve profesionale nga punonjësit e saj.
Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.
Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj.
