Skip to content

GJKKO shpall vendimin për dosjen “Revanshi”, ja sa vite burg dënohet Durim Bami

durim bami 1024x579

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për shtatë të pandehurit e akuzuar nga SPAK për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, me akuza që lidhen me trafik droge, kultivim narkotikësh dhe sigurim të kushteve për vrasje.

Në përfundim të gjykimit, që u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, dënimi më i lartë është dhënë për Durim Bamin, i cili është dënuar me 10 vite e 8 muaj burgim.

Bami është shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje, kultivim të bimëve narkotike dhe krijimin e drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal. Për dy raste të tjera ku akuzohej për sigurim të kushteve për vrasje, gjykata e ka shpallur të pafajshëm.

Me 10 vite burgim është dënuar Oltion Zefi, i akuzuar për trafikim narkotikësh dhe organizim të grupit të strukturuar kriminal. Gjykata ka vendosur që dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, pasi Zefi të arrestohet për ekzekutimin e vendimit.

Edson Jozwik, i njohur edhe si Edson Pjetri apo Edmir Pjetri, është dënuar me 8 vite burgim për trafikim narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për Altin Morinën, gjykata ka dhënë 6 vite e 8 muaj burgim. Ai është shpallur fajtor për kultivim të bimëve narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve. Për akuzën e mbajtjes së municioneve luftarake, çështja është pushuar.

Ndërkohë, Henerigert Mitri është dënuar me 5 vite e 4 muaj burgim. Përveç kultivimit të bimëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup kriminal, Mitri është shpallur fajtor edhe për shpërdorim detyre.

Me nga 4 vite e 8 muaj burgim janë dënuar Jozi Kraja dhe Aldo Avdyli, alias Elidon Avdyli.

Të dy janë shpallur fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Në rastin e të gjithë të dënuarve që ndodhen të arrestuar, llogaritja e dënimit nis nga dita e arrestimit, ndërsa vuajtja e dënimit është përcaktuar në burg të sigurisë së lartë.

Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin e armës së sekuestruar në kuadër të hetimit ndaj Altin Morinës, e cila do të kalojë në favor të shtetit.

Vendimi nuk është përfundimtar. Palët kanë të drejtë ta ankimojnë në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.