Skip to content

Në arrati pasi theu lejen dhe s’u kthye më në burg, policia greke në kërkim të gjurmëve të Alket Rizait

rizai new

Një operacion i gjerë është ndërmarrë nga Policia Greke për lokalizimin dhe arrestimin e Alket Rizait, i cili nuk u kthye në burgun ku po vuante dënimin, pasi kishte marrë leje. Sipas zëdhënëses së Policisë Greke, Constantia Dimoglidou, Rizai duhej të paraqitej në burg në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës, më 14 shtator, por nuk u paraqit.

“Meqenëse ai nuk u paraqit në burg, siç duhej, ELAS po e kërkon atë jo vetëm në rajonin e Atikës, ku është parë për herë të fundit pas incidentit në një dyqan kujdesi shëndetësor, por në të gjithë vendin”, deklaroi Dimoglidou për ERT.

Ajo theksoi se Rizai kishte marrë më parë 16 leje dhe nuk kishte shkelur asnjërën prej tyre. Rizai dyshohet se është përfshirë edhe në një incident me të shtëna armësh, në orët e para të së dielës, jashtë një bari plazhi në Anavyssos. Ngjarja është aktualisht nën hetimin e autoriteteve greke.

48-vjeçari Alket Rizai është i njohur për autoritetet greke edhe për dy arratisje spektakolare me helikopter nga burgu i Korydallos, në vitet 2006 dhe 2009, së bashku me Vasilis Paleokostas. Ai po vuan dënimin për vepra të rënda penale dhe tashmë është kthyer në qendër të një operacioni të gjerë kërkimi nga autoritetet greke.