Skip to content

Dashuria që ndezi alarmin e spiunazhit në bazën e NATO-s…

566c3794e1470869421a391e8c0d964565f12cad

Një histori dashurie e nisur në Tinder përfundoi në qendër të një hetimi për sigurinë e NATO-s. Ai ishte një oficer spanjoll i NATO-s, i vendosur në bazën e Northwood, në veriperëndim të Londrës.

Ajo, 49 vjeçe, me pasaporta britanike dhe polake, por e lindur në ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo lidhje ngriti alarmin e sigurisë në Komandën Detare Aleate të NATO-s, MARCOM, një strukturë strategjike që monitoron aktivitetin e anijeve luftarake ruse në Detin e Veriut, përfshirë edhe të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të përdorur nga Moska për eksportin e naftës.

Historia, e rindërtuar nga britanikja The Telegraph përmes dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive, nisi në fund të vitit 2024. Pak pasi ishte ndarë nga gruaja, oficeri spanjoll u njoh në një aplikacion takimesh me Janina White.

Marrëdhënia u zhvillua me shpejtësi. Vetëm dy javë pas takimit të parë, të dy u zhvendosën në apartamentin e saj në Ruislip, në perëndim të Londrës. Ata hapën një llogari të përbashkët bankare dhe nisën të planifikonin jetën së bashku.

Dyshimet nisën kur Wite u ftua si shoqëruese e oficerit në një festë Krishtlindjesh në bazën e Northwood. Më 12 dhjetor 2024, ai e futi atë në mensën e nënoficerëve, pasi siguroi për të një leje ditore vizitori.

Në muajt pasues u evidentuan “probleme sigurie”, të cilat çuan në hetime nga NATO dhe verifikime nga autoritetet spanjolle. Britania e Madhe nuk mori pjesë zyrtarisht në hetim, por komandanti i Northwood u informua.

Më 19 qershor 2025, atij iu hoq karta e hyrjes në bazë në pritje të hetimeve dhe një ditë më vonë u shoqërua jashtë kompleksit. Më 29 korrik, autoritetet spanjolle ndërprenë zyrtarisht detyrën e tij në MARCOM, ndërsa gjatë verës u riatdhesua në Spanjë.

Sipas The Telegraph, më 26 gusht 2025, çifti dhe një person i tretë tentuan të hynin sërish në bazë, me sa duket për të marrë disa sende personale dhe për të ngrënë drekë.

Sipas raportit, oficeri pretendoi se kishte humbur kartën e aksesit, ndërsa White u paraqit si avokatja e tij. White i ka mohuar vazhdimisht akuzat se është spiune ruse dhe thotë se ka qenë viktimë e diskriminimit për shkak të origjinës.

Ajo ka treguar se gjatë një udhëtimi në Shën Petersburg, ku kishte shkuar për të vizituar babanë e sëmurë, ishte kontaktuar nga një burrë që i ishte prezantuar si “Andrei”, nga shërbimi rus i sigurisë FSB.

Sipas saj, ai e kishte pyetur për hetimin e sigurisë dhe marrëdhënien me oficerin spanjoll. White pranon se e dinte që partneri i saj punonte me dosje që lidhen me “flotën fantazmë” dhe nëndetëset ruse, por thotë se në shtëpi nuk flisnin për punën e tij.

Megjithatë, nuk janë gjetur prova se ajo ka qenë agjente e Kremlinit. Ajo ka ngritur një padi për diskriminim kundër Ministrisë britanike të Mbrojtjes, duke pretenduar se dyshimet ndaj saj lidhen kryesisht me vendin e lindjes.

Ndërkohë, ish-oficeri spanjoll e ka përjetuar si një goditje të rëndë largimin nga detyra. Sipas White, ai i ka përjetuar vitet e fundit “si një lebroz” dhe në shtatorin e kaluar tentoi t’i jepte fund jetës. Ajo thotë se ai ndihej i tradhtuar dhe se shteti spanjoll duhej ta kishte mbrojtur. \\