Skip to content

Serbia hap fabrikë për montimin e dronëve izraelitë

GettyImages 2170626534

Serbia ka hapur një fabrikë për montimin e dronëve të avancuar të prodhuar sipas teknologjisë izraelite, të cilët do të përdoren nga ushtria serbe dhe do t’u ofrohen edhe forcave të armatosura të vendeve të tjera, njoftoi të enjten presidenti Aleksandar Vučić.

Në një postim në Instagram, Vučić tha se në fabrikë do të montohen dronë të projektuar në Izrael, të cilët i cilësoi si “të teknologjisë më të avancuar”. Fabrika ndodhet në Šimanovci, rreth 30 kilometra në perëndim të Beogradit, dhe pritet të punësojë rreth 100 persona.

Presidenti serb publikoi edhe pamje të kufizuara nga objekti dhe tha se publiku do të mbetej i impresionuar nga dronët që do të prodhohen atje. Megjithatë, gazetarët nuk do të lejohen ta vizitojnë fabrikën për shkak të natyrës konfidenciale të procesit të prodhimit.

Sipas Vučićit, qeveria serbe dhe partnerët e saj izraelitë planifikojnë të hapin të paktën edhe tri fabrika të tjera në pjesë të ndryshme të vendit. Vučić e kishte njoftuar për herë të parë në prill se Serbia do të prodhonte dronë luftarakë në bashkëpunim me Izraelin.

Po atë muaj, rrjeti rajonal BIRN raportoi se prodhuesi shtetëror serb i armëve, Yugoimport SDPR, do të hapte fabrikën së bashku me Elbit Systems, një nga kompanitë më të mëdha izraelite të industrisë ushtarake.

Sipas Times of Israel, Elbit do të zotërojë 51 për qind të aksioneve të ndërmarrjes së dronëve, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në pronësi të SDPR-së serbe. Bashkëpunimi ka rëndësi edhe përtej prodhimit të dronëve.

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që po vijon publikisht marrëveshje të mëdha të mbrojtjes me Izraelin, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e vendeve evropiane kanë dënuar qeverinë izraelite për luftën në Gaza dhe politikën e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Gjermania, Spanja dhe Britania e Madhe, kanë pezulluar disa marrëveshje armësh me Izraelin për shkak të gjenocidit në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Në shtator 2025, ministri i Jashtëm serb Marko Đurić e cilësoi Izraelin si një nga “miqtë më të afërt dhe partnerët kryesorë strategjikë” të Serbisë.

Kur u njoftua projekti në prill, Vučić tha se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes i mundëson Serbisë të mësojë se si të prodhojë dronë të sofistikuar.

Partneriteti shihet si pjesë e përpjekjes më të gjerë të Beogradit për modernizimin e ushtrisë, e cila ende mbështetet ndjeshëm në teknologjinë e trashëguar sovjetike, krahas pajisjeve më të reja të blera nga Evropa, Kina dhe Izraeli.

Bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve është zgjeruar me shpejtësi. Në fillim të vitit 2025, Serbia shpenzoi 335 milionë dollarë për sistemet e artilerisë PULS dhe dronët Hermes të kompanisë Elbit.

Në gusht të po atij viti, Beogradi bleu nga Izraeli dronë, sisteme të luftës elektronike dhe raketa me rreze të gjatë, në një marrëveshje me vlerë rreth 1.6 miliardë dollarë.

Ndërkohë, Serbia nuk është vetëm blerëse e pajisjeve ushtarake izraelite. Ajo eksporton në Izrael municione dhe pajisje të tjera ushtarake, ndërsa këto eksporte janë rritur ndjeshëm pas sulmit të Hamasit në vitin 2023 dhe shpërthimit të luftës në Gaza.

Sipas të dhënave zyrtare të Entit Statistikor të Republikës së Serbisë, eksportet serbe të armëve drejt Izraelit u rritën me 140 për qind në vitin 2025, duke arritur një rekord prej 114 milionë eurosh, ose rreth 131.1 milionë dollarësh. Në vitin 2023, vlera e tyre ishte vetëm rreth 3 milionë euro, raportoi Haaretz. \\