Skip to content

Edi Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë, më pas niset në SHBA për Asamblenë e OKB-së

EDI RAMA 2

Kryeministri Edi Rama zhvillon sot një takim me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve. Sipas burimeve, mbledhja zhvillohet në ambientet e “Vilës së Kuqe” dhe parashikohej të niste në orën 09:00.

Takimi do të përqendrohet te koordinimi i punës mes strukturave qeverisëse, monitorimi i objektivave të përcaktuara dhe ecuria e nismave “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”. Në diskutim pritet të jenë gjithashtu problematikat e konstatuara gjatë angazhimeve në terren, si dhe detyrat që lidhen me vijimin e punës së ministrive dhe drejtuesve politikë në qarqe.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri Rama do të vijojë axhendën me një vizitë jashtë vendit. Nesër ai pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York.

Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë planifikuar të zhvillohen nga 22 deri më 28 shtator. Shqipëria do të përfaqësohet këtë vit nga kryeministri Edi Rama, i cili pritet të mbajë fjalimin e tij më 25 shtator, gjatë paradites sipas orës lokale në SHBA.

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, përveç pjesëmarrjes në aktivitetet e OKB-së, Rama pritet të zhvillojë edhe takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar.

Një prej këtyre takimeve parashikohet të mbahet në Michigan, ndërsa më 24 shtator kryeministri është ftuar në Galanë e Komunitetit Shqiptar në New York.

Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë anëtarë të diasporës shqiptare, diplomatë dhe figura të tjera publike. Galaja synon të vlerësojë kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA dhe të nxjerrë në pah marrëdhëniet mes diasporës, Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.