Në bashkinë Fier u hap zyra e re e aplikimeve për dokumente biometrike e cila është ngritur në bashkëpunim me kompaninë koncesionare koncensionare.
Në inspektim morën pjesë Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, Prefekti Baki Bala, Drejtuesi i Kompanisë Koncesionare Jean Alain Jouan, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, nënkryetarja e Bashkisë Fier Enkelejda Peshkëpia.
Zyrtarët e lartë nga pushteti qendror dhe ai vendor inspektuan sportelet e aplikimit dhe panë nga afër procedurat përkatëse për pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.
Duke vlerësuar angazhimin e bashkisë Fier në këtë proces, zv.ministrja Voda u shpreh:
“Sot jemi në Fier, jemi në zyrat e reja të të hapura në bashkëpunim me bashkinë Fier. Besoj është një shembull shumë i mirë që po ndiqet nga bashkia Fier. Kemi qenë faktikisht në bashkinë Tiranë, kemi parë një model shumë të mirë, por sot kemi shansin edhe rastin që këtë model shumë të mirë të shërbimit ndaj qytetarëve për pajisjen me karta identiteti, ne ta shohim edhe në bashkinë Fier.Ambientet në fakt janë shumë të mira me të gjitha standardet, kushte komode. Siç e shikoni dhe vetë, procedura e aplikimit është shumë e shkurtër, radhë nuk krijohen. Qytetarët pra kanë mundësi të vijnë këtu edhe të pajisen me karta identiteti.
Voda iu bërë thirrje qytetareve që të aplikojnë për kartat e reja të identitetit.
Unë do të përsërisja të njëjtën thirrje që, ju lutem, ju lutem qytetarëve të vijnë dhe të aplikojnë sa më parë për t’u pajisur me karta identiteti. Tashmë këtë shans e kanë edhe qytetarët e Fierit, nëpërmjet këtyre zyrave shumë të mira dhe shumë komode, të vijnë të pajisen me to. Mos harrojmë që përpara kemi një proces zgjedhor, i cili është shumë i rëndësishëm, por patjetër kartat e reja të identitetit duke pasur edhe elementë sigurie, e theksoj sërish, do të shërbejnë që ata të përfitojnë shërbime edhe në institucionet e tjera shtetërore apo edhe ato jo shtetërore. Mos të harrojmë dhe një gjë, shpejt, me afrimin e korrikut, gushtit vjen edhe fluksi i emigrantëve që vijnë në Shqipëri, të studentëve që kthehen nga studimet jashtë, por mos harrojmë që vjen dhe afati i aplikimit dhe për pasaportat e reja biometrike, kështu që për të shmangur dhe fluksin të paktën në këtë periudhë, thirrja ime për të gjithë qytetarët do të ishte: Ejani dhe aplikoni në këto zyra të reja, të mrekullueshme për t’u pajisur me karta identiteti!”.
Bashkia Fier pason shembullin e dhënë nga Tirana dhe disa qytete të tjera për çeljen e zyrave të reja moderne të aplikimit për dokumente identiteti, pasi pritet që ky vit të ketë fluks të shtuar për shkak të skadimit të një numri mbi 1.4 milion dokumentesh të prodhuara në vitin 2009.
