“A do të rikthehet në Shqipëri gruaja e ruajtjes së sekreteve të mëdha vendit tonë për t’u përballur me drejtësinë?”. Kjo ishte një nga pyetjet e shtruara nga gazetarja Klodiana Lala në një raportim live për News24.
Hyseni akuzohet për përkrahje e autorit të krimit dhe nxjerrje e sekretit, ndërsa dyshohet se ajo ka favorizuar biznesmenin Ergys Agasi. Sipas Lalës, është hera e parë që një drejtues i nivelit kaq të lartë akuzohet për implikime në të tilla krime. Mes të tjerash Lala tha se deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e Shërbimit Informativ të Shtetit, se ku ndodhet drejtuesja Vlora Hyseni.
Ndaj saj ka një masë arresti në shtëpi dhe nëse kalon kërkimi 30 ditor siç e përcakton procedura, emri i saj shpallet në kërkim jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë. Ajo duhet të përballet me drejtësinë për një dosje të ‘nxehtë’ siç është AKSH-i, ku bëhet fjalë për një rrjet kriminal të strukturuar që ndërhynte te tenderat dhe jo vetëm. Ndër të tjera Lala shtroi pyetjen; A do të shkojë SPAK deri te Rama?’, ndërsa shtoi se kjo ngelet për t’u parë.
