Është mbajtur këtë të martë Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Në Komision janë zhvilluar debate të fortë për kreun e SHISH, pas masës së sigurisë së dhënë nga GJKKO për Vlora Hysenin.
Gjatë fjalës së tij, Fatmir Xhafa i është përgjigjur Ivi Kaso, pasi ky i fundit reagoi me akuza të forta duke thënë se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen
Pjesë nga fjala e Fatmir Xhafaj
Të drejtën e fjalës dhe të gjykimit, qoftë edhe nga këndvështrimi i opozitës apo nga këndvështrimi juaj personal si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Por ju folët për institucione.
Në fakt, çdo institucion ka detyrën dhe përgjegjësinë e vet. Nëse institucionet e drejtësisë penale kanë funksionin e tyre kushtetues dhe ligjor për ndjekjen penale, ne këtu nuk kemi të njëjtën gjë. Ne kemi detyrën tonë si ligjvënës, si përfaqësues të sovranit, për të ushtruar procesin ligjvënës dhe kontrollin parlamentar.
Sa i përket asaj që bëjnë institucionet, ju thatë se institucionet arrestojnë njëri-tjetrin. Institucionet nuk arrestojnë individët; institucionet bëjnë detyrën e tyre.
Nëse një institucion përkatës ka bërë detyrën e tij konform ligjit, kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë dhe e forcimit të shtetit të së drejtës. E kundërta do të ishte ajo që kemi parë për 30 e ca vjet në këtë vend.
Ajo që po shohim sot është diçka që ndodh rëndom në botën normale, në vendet demokratike, në vendet ku vepron shteti i së drejtës. Këtë e shohim edhe në vendin kampion të demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar dhe për një shtet të së drejtës.
Nëse ka çështje mbi të cilat duhet reflektuar, patjetër që jam shumë dakord me ju. Nëse kjo lidhet me komisionin tonë, ju jeni zëvendëskryetar i komisionit; ulemi si kryesi e komisionit, ulemi si komision dhe e diskutojmë.
Unë nuk e shoh që kjo të jetë aq e lidhur drejtpërdrejt me ne, në kuptimin e fushës sonë të përgjegjësisë. Por, nëse e shohim të nevojshme apo të domosdoshme, ne ose një komision tjetër, vetëm ne apo bashkë me një komision tjetër, dhe ka diçka që duhet të bëjë Kuvendi apo komisionet tona, për të reflektuar përtej këtij diskutimi jashtë rendit të ditës, unë dhe besoj edhe kolegët jemi të gatshëm të vlerësojmë propozimet tuaja.
Nuk kemi pse ta përmbysim kalendarin e mbikëqyrjes parlamentare. Kjo është pjesë e përgjegjësisë sonë, sepse ne nuk zëvendësojmë drejtësinë. Ne bëjmë detyrën tonë dhe institucionet e drejtësisë bëjnë detyrën e tyre.
Ne do të bëjmë detyrën tonë, pavarësisht se cilët janë emrat dhe për çështjet për të cilat flasim. Në vijim, po e them edhe një herë: nëse ka gjëra që duhet t’i reflektojë ky Kuvend, nëse ka gjëra që duhet t’i reflektojnë komisionet e tjera parlamentare apo nëse ka gjëra që duhet t’i reflektojë drejtpërdrejt ky komision, ne jemi të gatshëm të përballemi me këtë diskutim dhe të marrim përgjegjësitë përkatëse.
Ky është këndvështrimi im dhe besoj se duhet ta mbyllim këtu këtë diskutim.
Siç thashë, unë e respektoj fjalën tuaj, qoftë si përfaqësues i opozitës, qoftë edhe si zëvendëskryetar, por besoj se tani duhet të fillojmë me rendin e ditës.
