Skip to content

“Famëzeza Hyseni, presion gjykatësve për rastin Balluku”/ Berisha: Nëse është në shoqërinë e Ramës, FBI dhe policia e SHBA ta arrestojnë! Shqiptarët t’i presin mandatin e arrestit Ramës

4e970650 9d74 4685 8ee7 69a12cb4dcd5

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit rreth Shërbimit Informativ të Shtetit dhe masës së sigurisë ndaj Vlora Hysenit.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëndron pas veprimtarive kriminale që, sipas tij, kanë prekur institucionet shtetërore.

Berisha u ndal te Vlora Hyseni, duke theksuar se ajo është përfshirë në presione ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe duke ngritur akuza për lidhje të saj me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Vlora Hyseni, famëzeza u mor në mënyrë aktive me presione ndaj Gjykatësve Kushtetues në rastin e vendimit të Ballukut, e denoncova që në atë kohë. Ka patur të dhëna shumë të rëndësishme, qytetar dixhital më thonë që po bëhet një kombinim i dy shërbimeve Tiranë-Beograd kundër protestuesve të rinj.  Me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur. Kemi paralajmëruar se shtrirja e këtij mafiozi mbi SHISH nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin e njohur si agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiç, lë dyshime më të mëdha për infektimin e këtij institucioni. Siç e shihni, Edi Rama i cili kishte informacione të plota por që me qëllim kishte dorëzuar SHISH te krimi, te bandat është de facto , sot njeriu më i paligjshëm në Shqipëri. Mandati i arrestit për Edi Ramën është mandati që duhet t’ja presin shqiptarët sa më parë. Për Vlora Hysenin, e cila thuhet se është me shërbim jashtë vendi, në rast se është në shoqërinë  e Ramës u bëj thirrje FBI dhe policisë së SHBA ta arrestojnë, jo vetëm si kriminele ordinere, por ta arrestojë edhe si një person që me grupin e vet ka përbërë kërcënim për aleancën atlantike të veriut”, tha Berisha.

Më tej Berisha theksoi se SPAK duhet të lëshojë mandat arresti ndërkombëtar, për Hysenin në mënyrë që ajo të kapet

“Nuk është në New York duke përgatitur takimet e Ramës me spiunë, por është diku tjetër, ju bëj thirrje shërbimeve të zbatimit të ligjit të atij vendi, që të arrestojë. Kërkoj që SPAK të lëshojë mandat arresti ndërkombëtar për të në mënyrë që ajo të kapet”, shtoi Berisha.