Skip to content

“Paketa për Shqipërinë”/ Zhupa: Po përdoret ligji për t’i hapur rrugë interesave private, ja çfarë kërkon PD-ja

zhupaaaaaaaa

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm zhvilloi diskutimet mbi “Paketën për Shqipërinë”, nismë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila përfshin tre projektligje për shfuqizimin e “Paketës së Maleve”, ligjit për Investimet Strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Në mbledhje morën pjesë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputetja Ina Zhupa, të cilët e paraqitën paketën si një përpjekje për të kundërshtuar politikat që, sipas tyre, po vendosin pronën dhe pasuritë publike në funksion të interesave private. Zhupa vuri theksin te mbrojtja e territorit dhe zonave të mbrojtura, ndërsa Bardhi kritikoi mënyrën e zbatimit të ligjit për Investimet Strategjike dhe “Paketën e Maleve”.

PD argumenton se tre nismat synojnë të rikthejnë në fokus interesin publik, pronën dhe mbrojtjen e pasurive natyrore, duke kërkuar shfuqizimin e ligjeve që, sipas opozitës, kanë krijuar hapësira për favorizime dhe përfitime private.

Pjesë nga diskutimi;

Tre nismat janë një mundësi që përballin interesin publik, pronën dhe pasuritë e Shqipërisë me modelin korruptiv dhe plaçkitës të Edi Ramës. Në të tre ligjet gjendet i njëjti model: përdorimi i ligjit për të vënë pronën, territorin dhe pasuritë publike në funksion të interesave private, një model që ushqen favorizimin, zhvatjen dhe pasurimin e paligjshëm dhe shoqërohet me korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Prandaj, pyetja që duhet t’i shoqërojë në të tre të nismat në shqyrtim është: pse PS këmbëngul të mbrojë ligjet që mbajnë në këmbë këtë model, që bien ndesh me ineteresin e shqiptarëve dhe që Europa na kërkon t’i shfuqizojmë.

Parlamenti Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, sepse ato lejojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike në zona të ndjeshme ekologjike. Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për të tre ligjet: për Investimet Strategjike, për mungesën e transparencës, trajtimin e pabarabartë, favorizimin dhe mungesën e konkurrencës; për Paketën e Maleve, sepse mund t’i hapë rrugë ndërtimeve në shkallë të gjerë në pyje e kullota dhe rrezikon të bjerë ndesh me standardet europiane për mbrojtjen e natyrës; ndërsa për Zonat e Mbrojtura thotë se ndryshimet e vitit 2024 kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës.

Sipas informacioneve publike, vetëm në Bregdetin e Jugut janë dhënë mbi 2 milion metra katrorë tokë shtetërore për interesa private. Ky është modeli plaçkitës që “Paketa për Shqipërinë” kërkon të ndalë.

Në 11 vite, në zbatim të ligjit për investimet strategjike, 98% e lejeve i përfituan pesë oligarkë. Pasi shpërndanë bregdetin, me “Paketën e Maleve” kërkojnë të marrin edhe pyjet dhe kullotat.

Gjatë mbledhjes Gazment Bardhi u shpreh:

“Pas 11 vitesh, rezulton se 98% e rasteve u përkasin pesë oligarkëve që kanë marrë titullin e investitorit strategjik, ndërsa vetëm 2% e vendimeve lidhen me investitorë të huaj, dhe edhe këta janë dy miq personalë të kryeministrit Edi Rama. Pra, qëllimi i shpallur dhe realiteti që rezulton vite më vonë nga zbatimi i këtij ligji nuk përputhen me njëri-tjetrin.”

Prandaj, ajo që thoni ju për për “Paketen e Maleve”, nuk është qëllimi për të cilin qeveria u investua me ligjin e sjellë këtu. Qeveria u angazhua sepse i kanë mbetur pyjet dhe kullotat pa shpërndarë, pasi shpërndau bregdetin. Tani është radha e pyjeve dhe kullotave të Republikës së Shqipërisë për t’ia dhënë edhe ato një grushti njerëzish në emër të investimeve.

Por ju nuk ia zgjidhni hallin atij fshatari në majë të malit, i cili ka ndërtuar shtëpinë në tokën që e ka trashëguar brez pas brezi dhe sot e ka pa dokumente. Ai e ka ndërtuar shtëpinë aty dhe ju nuk merreni me të.

Po të merreshit me të, do të kishit edhe votën tonë pro. Por ju nuk thoni se do t’ia zgjidhni hallin atij qytetari të zakonshëm që prej 100 vitesh e ka shtëpinë në një zonë malore, por e ka ende pa dokumente, për shkak të historikut të së drejtës së pronësisë në Republikën e Shqipërisë.

Ju thoni se dikush që vjen me një projekt për të investuar atje, në mal apo në fushë, do të përfitojë nga ky ligj. Sepse kjo nuk lidhet vetëm me malin. Dhe, meqë quhet “investim në male”, unë nuk di të ketë male as në Kavajë, as në Rrogozhinë, as në Shijak, ku rezulton se ka aplikime.” – përfundoi Bardhi gjatë prezantimit.