Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ka dërguar sot një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ku kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të parlamentit për të lehtësuar dialogun institucional dhe për të zgjidhur ngërçin e krijuar mes Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Në dokumentin e protokolluar më 23 shtator 2026, Blushi thekson se përshkallëzimi i këtij konflikti ka çuar në bojkotimin edhe të seancave për caktimin dhe shqyrtimin e masave të sigurimit, çka përbën një kërcënim serioz për garancitë kushtetuese dhe procesin e rregullt ligjor.
“Kjo situatë nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme ndërinstitucionale apo si një çështje thjesht administrative. Përshkallëzimi i saj rrezikon të prodhojë pasoja të drejtpërdrejtë mbi zhvillimin normal të proceseve penale, ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes, respektimin e afateve procedurale dhe, në mënyrë të veçantë, garantimin e procesit të rregullt ligjor,” shkruan Blushi në kërkesë.
Në mbështetje të neneve 18, 19 dhe 102 të Rregullores së Kuvendit, Blushi kërkon që çështja të trajtohet me urgjencë në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike si dhe në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Ndër kërkesat kryesore përfshihet thirrja e menjëhershme e një seance të përbashkët dëgjimore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të GJKKO-së së Shkallës së Parë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera relevante. Po ashtu, kërkohet marrja e shpjegimeve të plota mbi shkaqet e ngërçit, pasojat mbi proceset gjyqësore dhe masat e marra nga secili institucion për parandalimin e cenimit të së drejtës së mbrojtjes.
Deputeti ngulmon gjithashtu në nxitjen e një dialogu të drejtpërdrejtë mes GJKKO-së dhe Dhomës së Avokatisë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit apo të avokatisë. Pjesë e kërkesës është edhe vlerësimi i përputhshmërisë së praktikave të zbatuara me legjislacionin në fuqi, si dhe hartimi i një raporti përfundimtar me propozime për masa institucionale apo legjislative për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme.
“Kuvendi nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë gjykatat apo të ndërhyjë në vendimmarrjen gjyqësore. Por ai ka detyrimin kushtetues dhe parlamentar të ushtrojë kontrollin që i takon dhe të nxisë dialogun institucional kur një përplasje ndërmjet aktorëve të sistemit të drejtësisë rrezikon të cenojë funksionimin normal të tij,” përfundon Blushi.
