Skip to content

Akademikët shqiptarë hedhin hapa konkretë për demokracinë, institucionet dhe integrimin europian

Shqiperi BE1

Akademikë shqiptarë nga diaspora dhe Shqipëria po ndërmarrin hapa më konkretë për të kontribuar në zhvillimin e demokracisë, forcimin e institucioneve dhe avancimin e reformave në vend. Në një deklaratë të përbashkët, akademikë dhe studiues nga fusha të ndryshme kanë identifikuar një sërë problematikash që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe mund të ndikojnë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Ne, akademikë dhe studiues shqiptarë nga diaspora dhe Shqipëria, të bashkuar nga lidhja me vendin tonë dhe nga përgjegjësia që mbart dija, nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë shqetësimeve të thella që po përjeton shoqëria shqiptare. Përtej dallimeve politike, profesionale apo personale, na bashkon një bindje e thjeshtë: Shqipëria meriton institucione që i shërbejnë qytetarit, një shtet ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe një të ardhme ku puna, meritokracia dhe dinjiteti njerëzor kanë vlerë”, thuhet në deklaratë.

Në dokument theksohet gjithashtu rëndësia e protestës qytetare si pjesë e funksionimit të një shoqërie demokratike.

“Protesta qytetare është një nga format themelore të shprehjes demokratike. Ajo nuk duhet parë si përplasje mes qytetarëve dhe institucioneve, por si një thirrje për t’u dëgjuar, për t’u reflektuar dhe për të kërkuar përgjegjësi. Kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ngre zërin për problemet që e shqetësojnë, përgjigjja e institucioneve duhet të jetë dëgjimi, transparenca dhe llogaridhënia.”

Akademikët argumentojnë se roli i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në universitete, laboratorë dhe institucione kërkimore, por duhet të përfshijë edhe kontributin në debatin publik dhe në formulimin e zgjidhjeve të mbështetura në evidencë. “Dija mbart edhe një përgjegjësi qytetare: të vëzhgojmë me kujdes realitetin, të dallojmë problemet nga simptomat dhe të propozojmë zgjidhje të mbështetura në fakte, përvojë dhe interesin publik”, thuhet në deklaratë.

Sipas dokumentit, nevoja për përfshirjen e ekspertizës së pavarur në debatin publik bëhet edhe më e rëndësishme përballë treguesve aktualë të demokracisë. Në deklaratë citohet treguesi i demokracisë deliberative, sipas të cilit Shqipëria shënon 0,38 nga 1 dhe renditet në një nga vendet më të ulëta në Ballkan.

“Ky është kontributi ynë i parë: të flasim, të dokumentojmë problemet dhe të kërkojmë zgjidhje, sepse besojmë se një Shqipëri më e drejtë, më demokratike dhe më e zhvilluar nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një përgjegjësi e përbashkët”, theksojnë akademikët.

14 problematikat e evidentuara

Në deklaratë, 45 akademikë nga fusha të ndryshme – përfshirë shkencat politike, biznesin dhe ekonominë, shëndetësinë, teknologjinë, inxhinierinë dhe fusha të tjera, evidentojnë 14 çështje që, sipas tyre, kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje:

Garantimi dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës;
Garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe parandalimi i kapjes së shtetit;
Zonat e mbrojtura dhe biodiversiteti;
Liria dhe pavarësia e medias;
Depolitizimi, integriteti dhe mirëfunksionimi i administratës dhe institucioneve publike;
Forcimi i meritokracisë, transparencës dhe integritetit në sistemin akademik;
Shpopullimi dhe humbja e kapitalit njerëzor;
Prioritizimi, transparenca dhe llogaridhënia në përdorimin e fondeve publike;
Riorganizimi dhe diversifikimi i ekonomisë dhe mbështetja e sektorëve prodhues;
Zhvillimi i inovacionit, startup-eve dhe sipërmarrjes;
Mbrojtja dhe administrimi i interesit publik në asetet strategjike dhe mobilizimi i kapitalit vendas;
Forcimi i sistemit shëndetësor dhe vendimmarrjes së bazuar në evidencë;
Zhvillimi i pabarabartë dhe jo plotësisht i integruar i digjitalizimit në Shqipëri;
Mjedisi, menaxhimi i mbetjeve dhe zhvillimi i një ekonomie qarkulluese.

Në përfundim të deklaratës, akademikët argumentojnë se Shqipëria “ka nevojë për një model të ri zhvillimi, të mbështetur në institucione gjithëpërfshirëse, sundimin e ligjit, konkurrencën e ndershme, meritokracinë dhe administrimin e përgjegjshëm të burimeve”. Sipas tyre, një transformim i tillë është i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm, mirëqenien afatgjatë dhe përmbylljen e tranzicionit të vendit.

Hapi i radhës: konferenca “Shqipëria 2026”

Global Albanian Academics Network (GAAN), rrjeti që qëndron pas nismës, sqaron se publikimi i deklaratës përbën vetëm hapin e parë të punës së tij.

Problematikat e identifikuara pritet të trajtohen më tej përmes punës akademike dhe kërkimore, e cila do të vijojë edhe në konferencën “Shqipëria 2026 – Demokracia, Institucionet dhe Integrimi Evropian në Udhëkryq”, që do të zhvillohet më 24–25 tetor në Tiranë, me mundësi pjesëmarrjeje edhe online.

Konferenca synon të bashkojë ekspertizën e akademikëve dhe studiuesve shqiptarë nga vende dhe fusha të ndryshme, ndërsa një prej rezultateve kryesore të saj do të jetë hartimi i raportit akademik “Shqipëria 2026”.

Deri tani, 78 akademikë dhe studiues janë regjistruar për t’u bërë pjesë e nismës, ndërsa sipas organizatorëve numri vazhdon të rritet.

GAAN e cilëson nismën si gjithëpërfshirëse dhe fton akademikët dhe studiuesit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, t’i bashkohen rrjetit dhe procesit të punës për konferencën dhe raportin “Shqipëria 2026”.

Më shumë informacion mbi deklaratën, konferencën dhe mënyrën e regjistrimit gjendet në faqen zyrtare të Global Albanian Academics Network: gaan-albania.org.

Lista e nënshkruesve:

Prof. Dr. Afrim Krasniqi, Shqipëri – Histori dhe Shkenca Politike
Dr. Ajrina Hysaj, Emiratet e Bashkuara Arabe – Digjitalizimi i Arsimit të Lartë
Dr. Aksel Seitllari, SHBA – Inxhinieri Ndërtimi
PhD. c. Albana Celepija, Itali – Inteligjencë Artificiale
Dr. Albana Skeja, SHBA – Ekonomi
PhD. c. Albi Isufaj, Japoni – Shkenca Kompjuterike
PhD. c. Alfonc Baba, Itali – Neuroshkencë
Prof. Dr. Altin Hoti, Kuvajt – Ekonomi
Dr. Anisa Degjoni, Itali – Biomjekësi
Dr. Arnisa Tepelija, Gjermani – Drejtësi
PhD. c. Dejsi Qorri, Hungari – Ekonomi Agrare dhe Ushqimore
PhD. c. Denada Dosti, Turqi – Shkenca Politike
Prof. Dr. Denita Cepiku, Itali – Menaxhim Publik
PhD. c. Dionis Hasanaj, Francë – Teknologji Elektronike
Assoc. Prof. Edmond Jajaga, Maqedoni e Veriut – Shkenca Kompjuterike
Dr. Eltjana Shkreli, Itali – Zhvillim Territori dhe Trashëgimi
Dr. Enes Veliu, Itali – Inxhinieri Ndërtimi
Dr. Erisa Putro, Itali – Onkologji
Dr. Ermal Pashaj, Shqipëri – Mjekësi
Dr. Ervin Goci, Shqipëri – Media dhe Komunikim
Dr. Fatjon Çela, Itali – Bujqësi dhe Mjedis
PhD. c. Gert Metani, Shqipëri – Edukim dhe Shkenca Sportive
Dr. Gledis Guri, SHBA – Biologji Detare
Dr. Hajro Hajrullaj, Gjermani – Shkencat Biomjekësore dhe Teknologjia
Dr. Haris Vongli, Mbretëria e Bashkuar – Politikë dhe Media
Assoc. Prof. Irida Shallari, Suedi – Elektronikë
Dr. Jozel Hila, Itali – Mjekësi
Dr. Julien Dhima, Francë – Risku dhe Kapitali Bankar, Financa e Qëndrueshme
Dr. Klajdi Sotiri, Gjermani – Inxhinieri dhe Shkencat e Natyrës
Dr. Klajdi Toska, Itali – Inxhinieri
PhD. c. Landi Dardha, Izrael – Shkencat e Natyrës
Dr. Livia Tepshi, Gjermani – Shkenca të Natyrës dhe Shëndetësi
Dr. Marilica Zemkollari, Austri – Biologji Molekulare
Dr. Marla Xhani, Gjermani – Shkencat e Jetës
Dr. Med. Olger Kraja, Gjermani – Mjekësi
Dr. Olsi Kusta, Danimarkë – Shkenca Sociale dhe Mjekësi
Assoc. Prof. Oltiana Muharremi, SHBA – Financë/Kontabilitet
PhD. c. Orsida Gjebrea, Katar/Mbretëria e Bashkuar – Shëndetësi
Dr. Pines Nuku, Holandë – Psikologji
Dr. Rudina Jasini, Mbretëria e Bashkuar – Drejtësi
PhD. c. Sindi Sheri, Suedi – Biznes dhe Media
PhD. c. Sofokli Çakalli, SHBA – Transport
Assoc. Prof. Valmira Osmanaj, Kuvajt – Sisteme Informacioni
Dr. Xhenis Shehu, Rumani – Shkenca Politike
Dr. Xhoela Bame – Shkencat Biomjekësore