Skip to content

“Më 3 tetor në Bruksel ta bëjmë si në ’99 në Rambuje”/ Lizandër Saraçi: Të çlirojmë Shqipërinë! BE s’mund të negociojë me Ramën e lidhur me trafikun e armëve

111 2

Aktivisti Lizandër Saraçi ka bërë thirrje për pjesëmarrje të diasporës shqiptare në protestën që pritet të zhvillohet më 3 tetor në Bruksel, duke deklaruar se synimi është t’i përcillet Bashkimit Europian një mesazh kundër qeverisë shqiptare.

Saraçi tha se diaspora ka mbështetur protestat gjatë katër muajve të fundit, duke protestuar në qytete të ndryshme të Europës dhe në vende të tjera të botës, ndërsa sipas tij, shumë shqiptarë janë bashkuar me protestuesit edhe në Tiranë.

“Diaspora prej katër muajsh na ka mbështetur pa kursim, duke protestuar në të gjithë Europën e mbarë botën dhe duke ardhur në shesh me ne”, deklaroi ai.

Duke iu referuar protestës së 3 tetorit, Saraçi tha se kjo datë ka një rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare, e cila, sipas tij, është organizuar për t’i treguar
institucioneve europiane se shqiptarët janë të bashkuar kundër qeverisë.

“3 tetori ka një domethënie të veçantë sepse diaspora është organizuar që t’i tregojmë BE-së që shqiptarët janë të bashkuar kundër kësaj qeverie”, u shpreh Saraçi.

Ai kritikoi qëndrimin e institucioneve europiane ndaj qeverisë shqiptare dhe kërkoi që Këshilli i Europës të japë llogari, duke ngritur pretendime edhe për mënyrën se si është trajtuar reforma në drejtësi.

“Do t’i kërkohet llogari Këshillit të Europës sepse është e papranueshme që Marta Kos në fillim të protestës mbështeste Ramën, që drejtësia e re që na u pompua aq shumë nga BE dhe SHBA dhe u financua me taksat tona, nuk ka arrestuar as Ballukun, as Ramën”, deklaroi ai.

Saraçi bëri gjithashtu akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se ai është i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. Ai kritikoi çdo negociim të institucioneve europiane me qeverinë shqiptare mbi bazën e këtyre pretendimeve.

“E pranueshme që KiE të negociojë me një kryeministër të tillë që është i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh”, tha Saraçi.

Ai ngriti shqetësime edhe lidhur me çështjen e SHISH-it dhe pretendimet për nxjerrjen e sekreteve të NATO-s.

“E papranueshme që sekretet e NATO-s të nxirren e t’i jepet krimit të organizuar nga Vlora Hyseni”, u shpreh aktivisti.

Në përfundim, Saraçi u bëri thirrje shqiptarëve në Europë që të mblidhen më 3 tetor në Bruksel, duke e krahasuar tubimin e paralajmëruar me mobilizimin e shqiptarëve në Rambuje në vitin 1999.

“Të mblidhen më 3 tetor të gjithë shqiptarët e Europës. Siç e bëmë në Rambuje në ’99, ku u bënë 25 mijë veta të tregonin se do ta çlironin Kosovën, të mblidhemi në Bruksel e të tregojmë se do ta çlirojmë Shqipërinë”, deklaroi Lizandër Saraçi.