Skip to content

E paprecedentë në Lushnjë! I dërgonte mesazhe erotike nxënëses 13-vjeçare, arrestohet mësuesi 60-vjeçar

policia lushnje

Një mësues 60-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se prej një periudhe të gjatë i dërgonte mesazhe me përmbajtje erotike një nxënëseje 13-vjeçare.

I arrestuari është Madrid Sula, mësues në shkollën 9-vjeçare “Thanasaj” në Lushnjë. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se kishte komunikuar në mënyrë të papërshtatshme me të miturën përmes mesazheve.

13-vjeçarja, e cila mësohet se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike pas komunikimeve, fillimisht i ka treguar nënës së saj dhe më pas babait. Prindërit kanë bërë denoncimin pranë Policisë së Lushnjës, duke vënë në lëvizje hetimet.

Pas administrimit të mesazheve dhe verifikimeve të kryera, policia ka bërë arrestimin e mësuesit, ndërsa materialet do t’i nënshtrohen procedurave të mëtejshme ligjore. Për shkak të moshës dhe për të mbrojtur integritetin dhe privatësinë e të miturës, nuk bëhen publike të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e saj. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.