Skip to content

Kosovë/ Kurti: Që të ndërmerren veprime ndaj Speciales duhet të shmangen zgjedhjet

67b65bb0 a2f9 41b1 a793 0266b9323bca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje mes partive politike për zgjedhjen e presidentit të vendit, ndërsa ka mbetur më pak se një javë nga përfundimi i afatit.

Kurti e lidhi këtë optimizëm me votimin e së hënës në Kuvend, ku Deklarata që kundërshton konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së u miratua me 99 vota.

Sipas Kurtit, ky votim tregon se partitë politike mund të arrijnë dakordim edhe për çështje të tjera të rëndësishme institucionale.

“Është e domosdoshme të kemi takime të reja. Në njërën anë na duhet strategji shtetërore për të pandehurit në Hagë që padrejtësisht u shpallën fajtorë, në anën tjetër gjithashtu nuk besoj që duhet të kemi destabilitet të mëtutjeshëm institucional në këtë situatë kur me 99 vota për e arritëm një dakordim të përgjithshëm dhe tash të hyjmë në rivalitetet e ashpra të fushatave zgjedhore, nuk besoj që është punë e mençur”, deklaroi Kurti pas mbledhjes së Qeverisë.

Kryeministri ka paralajmëruar se do të ftojë sërish në takime liderët e partive politike, pasi të përfundojë vizita e presidentes së Komisionit Europian në Kosovë.

Kurti ka insistuar gjithashtu se marrëveshja me LDK-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut mbetet në fuqi.

Sipas tij, përmbushja e pikave të Deklaratës së miratuar në Kuvend kërkon që vendi të shmangë një tjetër proces zgjedhor. Për këtë arsye, ai ka theksuar nevojën që presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor.

Në konferencë, Kurti është ndalur edhe te qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale. Ai tha se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij dhe se nuk ka pritur drejtësi nga kjo gjykatë.

“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën. Akuza e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet medoemos të korrigjohet në apel”, deklaroi Kurti.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për transparencën dhe për ato që i cilësoi si pasaktësi faktike dhe historike në vendimin e Gjykatës Speciale.

“Ka munguar transparenca, përveç se gjykatë mono-etnike. Dhe e treta janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që dëgjuam më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe. Por vendimi i plotë është mijëra faqe”, u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, partitë politike në Kosovë vijojnë diskutimet për zgjedhjen e presidentit, me afatin kushtetues që po afrohet.