Skip to content

“Tubimi i sotëm ishte mesazh për BE-në”/ Aktivisti: Opozita e vërtetë është në shesh! Protesta tregoi se shqiptarët nuk i pranojnë më gënjeshtrat dhe “kockat” e hedhura nga qeveria

111111

Aktivisti Adresian Binjakaj, i ftuar në News24 me gazetaren Daljana Sejdia, ka komentuar protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë, në të njëjtën ditë me vizitën në Tiranë të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Binjakaj tha se protesta para godinës së qeverisë kishte edhe një simbolikë të drejtpërdrejtë ndaj Bashkimit Europian, pasi sipas tij protestuesit kërkojnë që institucionet europiane të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të mbajnë qëndrim për mënyrën se si trajtohen protestat në Shqipëri.

“Protesta e nisur para Kryeministrisë ishte simbolike për t’i treguar BE-së se ne kërkojmë llogari edhe nga ata. Forca të shumta edhe brenda BE-së kanë shprehur indinjatë se si po trajtohet protesta dhe protestuesit dhe ne kërkuam mbështetjen e tyre për të drejtat tona”, deklaroi Binjakaj.

Aktivisti kritikoi gjithashtu masat e sigurisë të vendosura gjatë protestës, duke i cilësuar ato të ekzagjeruara në raport me mënyrën se si qytetarët kanë zgjedhur të protestojnë.

“Nuk është hera e parë që vendoset një perimetër sigurie i ekzagjeruar, lidhur me mënyrën se si kemi zgjedhur që të protestojmë ne”, u shpreh ai.

Sipas Binjakajt, vetë mënyra e protestimit tregon aspiratën europiane të qytetarëve, ndërsa këmbënguli se protesta është një e drejtë legjitime.

“E kemi treguar që jemi gati për në BE. Protesta jonë është një e drejtë legjitime. Njerëzit janë me shpirt në shesh, edhe pse mbase fizikisht nuk janë çdo ditë aty.Edhe sikur protesta të mbyllet nesër ia ka treguar qëllimit. Kjo sepse ka treguar se nuk do të pranojmë më gënjeshtra dhe kocka të hedhura nga pushteti”, përfundoi Binjakaj.