Skip to content

A është telefonuar nga ndonjë socialist për t’i kërkuar votën pro Territoriales nesër në Kuvend?! Koçeku thirrje kolegëve të PS: Veproni me ndërgjegje, përtej bindjeve politike!

koceku 1

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka treguar nëse ka pasur tentativa nga deputetë socialistë për ta bindur që të votojë pro reformës administrativo-territoriale.

E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Koçeku tha se shpreson që reforma të mos miratohet dhe u bëri thirrje deputetëve socialistë që të votojnë sipas bindjes së tyre dhe jo sipas urdhrit partiak. Ajo deklaroi se qëndrimi i saj është i përcaktuar dhe se nuk ka hapësirë për negociata për votën e saj, pasi beson se reforma nuk i shërben interesit të qytetarëve.

“Unë uroj që mos të miratohet reforma. Iu bëj thirrje deputetëve socialistë që të votojnë me ndërgjegje të pastër, mbi bindjet politike, të shkojnë përtej bindjes politike pasi po flasim për një ligj me rëndësi. Duhet të lexohet si diçka me rëndësi, jo urdhër partiak. Kundërshtitë politike duhet të zbatohen dhe jo të ngelen retorikë. Nëse këto kundërshti janë serioze, duhet të kthehet votë kundër kësaj reforme se ndryshe nuk ka kuptim.

Nuk ka vend për negociatë për këtë vendim timin. E besoj se kjo reformë nuk i shërben qytetarëve. Do i qëndroj vendimit me votën time kundër, pasi besoj se kjo është e mira publike për qytetarët. Lexohem shumë qartë në vendimet e mia, ndaj s’ka vend për tentativa të tilla.”, tha ajo.