Skip to content

Nobeli i Paqes i këtij viti, një mesazh i drejtpërdrejtë për Netanyahun

gettyimages 2228704832

Francesca Paci, La Stampa

Juristja nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, ish-komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ka drejtuar komisionin e pavarur ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara që akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza.

Çmimi vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për Izraelin dhe përcjell një mesazh të fortë për qeverinë e Benjamin Netanyahut.

Nobeli për Paqen është ndoshta çmimi më politik nga të gjithë Nobelët. Ndonjëherë, mjafton një emër për të përcjellë një mesazh të qartë, pa pasur nevojë për shumë shpjegime.

Kështu ndodhi edhe në tetorin e vitit të kaluar, kur çmimi iu dha udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado, pavarësisht ambicieve të presidentit amerikan Donald Trump për ta fituar atë.

E njëjta logjikë u ndoq në vitin 2023, kur, në kulmin e jehonës së lëvizjes iraniane “Grua, Jetë, Liri”, çmimi iu akordua Narges Mohammadi, një prej figurave më të njohura të disidencës në Iran.

Edhe më herët, në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Nobeli kishte nderuar organizatën ruse për të drejtat e njeriut Memorial dhe Qendrën për Liritë Civile të Ukrainës.

Këtë herë, Komiteti Norvegjez ka zgjedhur Navanethem Pillay, të njohur si Navi, ish-komisioneren e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Juristja nga Afrika e Jugut ka drejtuar edhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, por emri i saj lidhet sot veçanërisht me punën në krye të Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të OKB-së.

Pak më shumë se një vit më parë, ky komision arriti në përfundimin se forcat izraelite kishin kryer katër nga pesë aktet e përcaktuara në Konventën e vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.

Komisioni deklaroi gjithashtu se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Yoav Gallant, kishin nxitur kryerjen e gjenocidit.

Në atë kohë, Pillay, tashmë 85 vjeçe, deklaroi se bota “nuk mund të qëndrojë në heshtje përballë fushatës gjenocidale të Izraelit kundër popullit palestinez në Gaza”.

Kështu, vetëm tri javë përpara zgjedhjeve që në Izrael konsiderohen vendimtare për të ardhmen e vendit, Nobeli për Paqen përcjell një mesazh sa të qartë, aq edhe të drejtpërdrejtë.

Përzgjedhja e Pillay i jep peshë ndërkombëtare akuzave për gjenocid, të cilat gjatë muajve të fundit i kanë artikuluar edhe figura të tjera, përfshirë shkrimtarin izraelit David Grossman.

Është e lehtë të imagjinohet se si e kanë pritur dhe si do ta presin këtë vendim ata të cilëve u drejtohet mesazhi, edhe nëse nuk janë marrësit e drejtpërdrejtë të çmimit.

Rëndësia e tij mund të minimizohet, por ndikimi mbetet i konsiderueshëm në betejën e vazhdueshme për të fituar zemrat dhe mendjet e njerëzve, atë që njihet si soft power, ose fuqia e butë.

Pa këtë ndikim, as fitorja ushtarake nuk garanton sukses të qëndrueshëm. Në fund të fundit, Izraeli nuk gëzon aktualisht mbështetje të gjerë në opinionin publik ndërkombëtar.

Për më tepër, vendi nuk ka qenë prej kohësh kaq i përçarë nga brenda sa në prag të zgjedhjeve të planifikuara për në fund të tetorit.

Shpresa është që ky Nobel, përtej mesazhit të qartë të solidaritetit me viktimat palestineze, të ndihmojë edhe në krijimin e kushteve për paqe. \\