Skip to content

Vullnet Sinaj zbardh prapaskenat e votës për Reformën Territoriale: Nëse do isha i pavarur mund ta kisha votuar kundër! PD po priste përçarje brenda nesh

32234324

Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka folur hapur lidhur me qëndrimin e tij ndaj Reformës Territoriale, për të cilën fillimisht doli publikisht kundër, por më pas bashkoi votën me grupin parlamentar të PS-së.

Sinaj shpjegoi se nëse nuk do të ishte pjesë e një partie politike, qëndrimi i tij do të kishte qenë i ndryshëm, por theksoi rëndësinë e disiplinës partiake dhe ruajtjes së unitetit përballë kundërshtarëve politikë.

“Nëse do të isha deputet i pavarur në Parlament, edhe mund ta kisha votuar kundër atë reformë. Banorëve të Selenicës, kam pasur një kontakt të vogël me një grup drejtuesish të PS në bashki që më kishin mirëkuptuar për vendimin tim, sepse të gjithë ishin të qartë se votimi kundër kësaj reforme do të thoshte që nuk ishim të qartë për ecurinë. Koha do ta tregojë, por njëkohësisht ishim të bindur që dukej sikur mbështetja për mos ta votuar vinte nga krahu i kundërshtarëve tanë politikë,” deklaroi deputeti i mazhorancës.

Më tej, ai nënvizoi se opozita shpresonte në një përçarje të mundshme brenda radhëve të socialistëve, gjë që sipas tij nuk do të lejohet të ndodhë.

“Dukej sikur PD po priste të krijonte një përçarje brenda PS-së, por kjo nuk ka ndodhur dhe s’ka për të ndodhur. Mund të kemi mendime të ndryshme brenda nesh dhe i trajtojmë ato në grupin parlamentar. Në fund, votojmë siç është vendimi i grupit parlamentar që merret me votë. Ky është një rregull jo vetëm i PS-së, por edhe i PD-së e i partive të tjera evropiane — është një rregull universal,” u shpreh Sinaj.