Skip to content

SHBA: kampione e demokracisë apo një republikë dallaveresh?

from snake oil to private jets the louche go grift class 3230144 20261012130443 20261012130443

Amerika e dallavereve nuk është dukur kurrë kaq e pasur dhe njëkohësisht, kaq e zhveshur nga dinjiteti. Avionë privatë, miliarderë grekë, resorte luksoze në Zvicër dhe lidhje politike që shndërrohen në monedhë shkëmbimi.

Në qendër të kësaj tabloje qëndron një ambasadore amerikane, që sipas pretendimeve të publikuara, i ofronte një biznesmeni të pasur ndikimin e saj politik, duke i premtuar se do ta ndihmonte të fitonte «shumë para».

Mirë se vini në një vend ku Kushtetuta nderohet si e shenjtë, por ku qasjae te pushteti mund të shitet si shërbim ekskluziv. Motoja e pashkruar e kësaj republike duket sikur është: te Zoti kemi besim, të gjithë të tjerët paguajnë.

Megjithatë, kjo traditë nuk nisi me Donald Trumpin. Ajo i ka rrënjët thellë në historinë amerikane. Sipas gazetës The Wall Street Journal, Kimberly Guilfoyle, ish-gazetare, ish-e fejuara e Donald Trump Jr. dhe ambasadorja amerikane në Greqi, mbërriti në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos me avionin privat të një drejtuesi grek të sektorit të ndërtimit.

Sipas raportimit, ajo kishte nxitur qeveri të huaja të mbështesnin interesat tregtare të këtij biznesmeni. Por në Davos e priste një poshtërim që për njerëzit e mësuar të lëvizin në qarqet e pushtetit, mund të jetë më i rëndë se një refuzim publik: emri i saj nuk figuroi në listën e të ftuarve për darkën e Eric Trump-it.

Guilfoyle, sipas raportimit, shpërtheu nga zemërimi. “Dreqi e mori, ajo duhet të më puthë prapanicën’, thuhet se kishte thënë për organizatoren. Një biznesmeni amerikan që mund ta ndihmonte të siguronte një ftesë, i kishte ofruar një premtim edhe më joshës: “Do të të bëj të fitosh shumë para”.

Në ato fjalë përmblidhet një pjesë e errët e marrëdhënies mes parasë dhe politikës: ndikimi si mjet përfitimi, privilegji si shpërblim dhe aksesi si mall që mund të blihet e të shitet.

Përfaqësuesit e Guilfoyle kanë kundërshtuar disa prej akuzave, ndërsa ambasada amerikane ka deklaruar se ajo ka respektuar rregullat etike. Por përtej përgjegjësisë individuale, kjo histori ngre një pyetje më të gjerë: sa larg mund të shkojë ndërthurja e interesave private me një detyrë që duhet t’i shërbejë publikut?

Mashtrimi për përfitime financiare është po aq i vjetër sa vetë historia e Amerikës. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, fjala angleze ‘grift’, dallavere, u përhap në botën e mashtruesve profesionistë, të cilët e dinin se mënyra më e lehtë për t’ia marrë dikujt paratë ishte ta bindnin se po fitonte diçka falas.

Që në vitet 1840, William Thompson, një nga mashtruesit e famshëm të Nju-Jorkut, fitonte besimin e të panjohurve dhe i bindte t’i dorëzonin sendet me vlerë. Viktima nuk ishte thjesht objekt i mashtrimit; ajo përfshihej në të përmes besimit që kishte krijuar te mashtruesi.

Showmeni P. T. Barnum e shndërroi këtë parim në një industri të tërë, duke ndërthurur argëtimin me ekzagjerimin dhe mashtrimin. Më vonë, spekulatorët e hekurudhave dhe baronët grabitqarë e çuan përfitimin e pandershëm në përmasa gjigante.

Skandali Crédit Mobilier zbuloi se si ndërtimi i hekurudhave mund të kthehej në burim pasurimi privat, ndërsa politikanëve u ofroheshin aksione me kushte të privilegjuara. Në Nju-Jork, William Tweed e shndërroi administratën bashkiake në një makineri për pasurimin e vet dhe të aleatëve politikë.

Në vitet 1920, Charles Ponzi premtonte fitime të jashtëzakonshme që nuk mbështeteshin në një aktivitet ekonomik të qëndrueshëm, por në paratë e investitorëve të rinj. Skema u shemb, por modeli mbijetoi.

Dekada më vonë, Bernie Madoff përsëriti të njëjtën logjikë nën petkun e respektueshmërisë së Wall Street-it, duke dëshmuar se kostumet e shtrenjta, klientela ekskluzive dhe zyrat luksoze mund të maskojnë edhe mashtrimet më të mëdha.

Edhe pushteti politik ka historinë e vet të korrupsionit. Gjatë administratës së presidentit Warren Harding, Sekretari i Punëve Brendshëm Albert Fall u dha fshehurazi kompanive private të drejta shfrytëzimi mbi rezervat federale të naftës, në këmbim të pagesave të paligjshme. Ai përfundoi në burg.

Epoka e Richard Nixon solli financime të fshehta politike dhe skandalin Watergate, që çoi në burg edhe ish-prokurorin e përgjithshëm John Mitchell. Me kalimin e kohës, Uashingtoni zhvilloi një fjalor të sofistikuar për marrëdhëniet mes parasë dhe pushtetit: konsulencë, këshillim strategjik, marrëdhënie me qeverinë, ndërmjetësim për akses.

Këto veprimtari mund të jenë krejtësisht të ligjshme, por kufiri mes shërbimit profesional dhe shitjes së ndikimit mund të bëhet i paqartë. Dallimi përcaktohet nga faktet, qëllimi dhe ligji, jo nga emri që i vihet një pagese.

Donald Trumpi nuk e shpiku këtë sistem, por kuptoi më mirë se shumë të tjerë se si mund të shfrytëzohej. Ai bashkoi retorikën populiste kundër establishmentit me botën e miliarderëve, donatorëve dhe njerëzve që kërkojnë favore.

Ndërsa premtonte të luftonte elitën, ndërtoi një model politik ku afërsia me pushtetin mund të kthehej në avantazh ekonomik. Në këtë realitet, diplomacia rrezikon të trajtohet si zgjatim i biznesit privat.

Sipas Wall Street Journal, Guilfoyle kishte udhëtuar me një manjat grek të transportit detar, kishte kaluar pushimet e Krishtlindjeve në Gstaad të Zvicrës dhe kishte qëndruar në hotelin luksoz Four Seasons George V në Paris, me shpenzimet e mbuluara, sipas raportimit, nga shoqëruesi i saj i pasur.

Gazeta raportoi gjithashtu se ajo kishte kërkuar lehtësim të një detyrimi prej 100 mijë dollarësh në kartën e kreditit nga një donator i Trumpit, duke i ofruar ndihmë për problemet e tij ligjore dhe tatimore. Avokati i saj kundërshtoi vërtetësinë e mesazheve të publikuara.

Çështja u vu nën shqyrtim, ndërsa demokratët në Kongres kërkuan llogaridhënie. Por, në mungesë të një vendimi gjyqësor që të vërtetojë pretendimet, përgjegjësia individuale duhet dalluar nga gjykimi politik dhe etik.

Ajo që mbetet e padiskutueshme është nevoja për transparencë dhe për standarde të rrepta për këdo që ushtron një funksion publik. Një post ambasadori nuk duhet të jetë biletë hyrjeje në një klub privat miliarderësh, ku avionët luksozë, pushimet e shtrenjta dhe detyrimet e pashkruara zëvendësojnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

Diplomacia është shërbim publik, jo investim privat që duhet të sjellë përfitime përmes lidhjeve politike. Sekreti i vërtetë i dallavereve nuk qëndron te vjedhja e kuletave, por te shitja e iluzionit se mund të vësh në lëvizje mekanizmin shtetëror me një telefonatë.

Nga rrjetet Tweed deri te avionët privatë në Davos, skenografia ka ndryshuar, por skema mbetet e njëjtë: shiten aksesi, ndikimi dhe premtimi se rregullat vlejnë vetëm për të tjerët.

Dhe këtu qëndron paradoksi amerikan: një vend që e paraqet veten si kampion të demokracisë, por që vazhdimisht përballet me tundimin për ta kthyer pushtetin në privilegj dhe shërbimin publik në burim përfitimi privat. \\