Izraeli mund të hapë një front të ri ushtarak në Jemen përpara zgjedhjeve të 27 tetorit, jo vetëm për të goditur Huthët, por edhe për të përmirësuar pozitat politike të Benjamin Netanyahut dhe për të fituar terren në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite.
Sipas Al-Monitor, zhvillimet e fundit sugjerojnë se kryeministri izraelit mund të jetë duke shqyrtuar një operacion ushtarak kundër Huthinjve në Jemen, në vend të një sulmi të drejtpërdrejtë kundër Iranit.
Llogaritja është e dyfishtë. Nga njëra anë, Netanyahu mund të rikthejë sigurinë kombëtare në qendër të fushatës, duke u paraqitur si udhëheqësi që përballet me armiqtë e Izraelit.
Nga ana tjetër, një ndërhyrje kundër Huthinjve mund t’i shërbejë si ofertë politike dhe ushtarake për Riadin, i cili po përballet me sulme ndaj infrastrukturës dhe objektivave strategjikë saudite.
Al-Monitor vëren se një përshkallëzim i tillë mund t’i sjellë Netanyahut përfitime elektorale, madje edhe nëse nuk çon në shtyrjen e zgjedhjeve.
Sipas një burimi të lartë politik izraelit të cituar nga media, kryeministri dëshiron t’u rikujtojë votuesve atë që ai e paraqet si sukseset e luftës kundër Iranit dhe Hezbollahut.
Megjithatë, përpjekja për t’u afruar me Arabinë Saudite përmes një operacioni ushtarak kundër Huthëve duket si një strategji e dëshpëruar e Tel Avivit për të fituar legjitimitet rajonal.
Izraeli kërkon të paraqitet si një partner i domosdoshëm për sigurinë e vendeve arabe, ndërkohë që lufta në Gaza dhe shkatërrimet e shkaktuara atje kanë thelluar mosbesimin ndaj qeverisë së Netanyahut në botën arabe.
Në këtë kuptim, paradoksi është i qartë: një qeveri që kritikohet ashpër në rajon për shkallën e dhunës ushtarake dhe pasojat e luftës në Gaza kërkon të fitojë pikë duke e paraqitur veten si mbrojtëse të sigurisë rajonale.
Nga këndvështrimi i kritikëve të politikës izraelite, është e vështirë të pranohet që Tel Avivi të marrë rolin e arbitrit kundër ekstremizmit, ndërkohë që veprimet e tij ushtarake konsiderohen ndër faktorët kryesorë të destabilizimit të Lindjes së Mesme.
Huthinjtë janë një grupim i armatosur me ideologji radikale, i mbështetur nga Irani, që ka kryer sulme me raketa dhe dronë kundër objektivave në rajon. Kërcënimi që paraqesin për Arabinë Saudite dhe lundrimin ndërkombëtar nuk mund të shpërfillet.
Por kjo nuk e shndërron automatikisht një operacion izraelit në Jemen në një mision për stabilitetin rajonal. Një ndërhyrje e re mund të sjellë viktima të tjera, të zgjerojë konfliktin dhe të shtojë paqëndrueshmërinë.
Për më tepër, afrimi me Riadin nuk varet vetëm nga bashkëpunimi ushtarak. Arabia Saudite ka kërkuar përparim drejt krijimit të një shteti palestinez si kusht për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Për sa kohë qeveria e Netanyahut nuk ofron një perspektivë të besueshme për këtë çështje, një sulm në Jemen nuk mund ta zëvendësojë kompromisin politik që kërkon Riadi.
Sipas Al-Monitor, sondazhi i publikuar në shtator nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Izrael tregonte se 68 për qind e izraelitëve besonin se vendi do të detyrohej ta rifillonte luftën me Iranin, ndërsa vetëm 14 për qind nuk prisnin rifillimin e armiqësive.
Kjo atmosferë frike i krijon Netanyahut hapësirë për ta vendosur sigurinë në qendër të debatit elektoral. Pra një sulm ndaj Jemenit mund të synojë njëkohësisht Huthët, votuesit izraelitë dhe udhëheqësit arabë.
Por një fitore ushtarake nuk është domosdoshmërisht fitore diplomatike. Nëse Netanyahu shpreson ta përdorë luftën për të dalë nga izolimi dhe për të fituar besimin e Riadit, ai përballet me një pengesë që nuk zgjidhet me raketa, mungesën e një zgjidhjeje politike për palestinezët dhe pasojat e rënda të luftës në Gaza.
