Skip to content

Studentët protestë para Ministrisë së Arsimit, Rama shkon në Kryeministri

protesta rama

Studentët vijojnë protestën para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka mbërritur në godinën e Kryeministrisë. Siç u pa dhe nga pamjet live të transmetuara live nga News24, Rama doli nga makina dhe më pas hyri në zyrën e tij. Sot ai kishte planifikuar dhe të mbante një takim me mbledhjen e zgjeruar të grupit, por e anuloi pas protestave të rinisë.

Protesta studentore ka përfshirë disa fakultete të kryeqytetit, me të rinjtë që kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar tubimit. Gjatë marshimit, studentët u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve dhe kalimtarëve që t’u bashkohen protestës.

Me thirrjet “Bashkohuni me ne!” dhe “Rama, jep dorëheqjen!”, studentët kanë kërkuar mbështetje për kauzën e tyre. Ndërkohë, situata para Ministrisë së Arsimit është tensionuar, ku protestuesit kanë shkulur kangjella metalike dhe kanë hedhur gurë e sende të forta në drejtim të godinës dhe policisë.

Protesta vijon, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim nga qeveria lidhur me kërkesat e studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Ramës.