Skip to content

“Më gjuajtën me gurë dhe më hodhën gaz në sy”, protestuesi tregon dhunën nga policia: Do të vij sërish, kërkojmë të drejtat tona

protestuesi i gjakosur

Një protestues ka denoncuar dhunën e pretenduar nga efektivët e policisë gjatë përplasjeve në protestën e zhvilluar në Tiranë. Në një prononcim për News24, ai pretendon se është goditur me gurë nga efektivët e FNSH-së dhe se i është hedhur gaz lotsjellës në sy.

Duke treguar dorën e gjakosur para kamerave, qytetari tha se kishte dalë në protestë për të kërkuar kushte më të mira jetese, paga më të larta dhe zgjidhje për papunësinë.

“Më kanë gjuajtur këta të FNSH-së me gurë. Më kanë hedhur gaz në sy, sot më kanë bërë këtë”, u shpreh ai, duke treguar plagën në dorë.

Protestuesi deklaroi se kërkesat e tij dhe të qytetarëve të tjerë lidhen me përmirësimin e mirëqenies dhe të kushteve ekonomike, duke theksuar se nuk po kërkojnë asgjë të jashtëzakonshme.

“Kam dalë edhe unë si të tjerët, që të ikë ai që është atje lart, për mirëqenie më të mirë, për paga më të mira, për papunësinë. Nuk po kërkojmë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, kërkojmë të drejtën tonë. Bëjmë punë, marrim 300 mijë lekë”, tha ai.

Qytetari shprehu gjithashtu pakënaqësinë për mënyrën se si, sipas tij, policia është sjellë me protestuesit gjatë përplasjeve, duke pretenduar se efektivët i kanë fyer dhe kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj tyre.

“Ja shteti ynë, me gaz dhe me të gjitha. Policia jonë! Këta trimat, këta të shiturit! Nuk po them sa më kanë bërë me gaz, por edhe na kanë sharë policët nga robt. Ku jetojmë, mor burrë? Jemi në vitin 2026”, deklaroi protestuesi.

Ai tha se kishte qëndruar në protestë deri në fund dhe se do të rikthehet sërish, duke këmbëngulur se qytetarët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Unë qëndrova deri në fund, do të vij sërish. Këta mendojnë se janë Zoti, por vetëm një Zot kemi. Këtë gjak do ta lajnë edhe ata një ditë”, përfundoi ai.