Unioni Ndërkombëtar Demokratik (IDU) shpreh shqetësim të thellë për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, ku protestat e drejtuara nga studentët, të cilat nisën në Tiranë më 13 tetor 2026, tashmë janë përhapur edhe përtej kryeqytetit. E drejta për tubim paqësor dhe liria e shprehjes janë gurë themeli të çdo shoqërie demokratike.
IDU i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë dhe forcave të saj të sigurisë që të përmbahen nga përdorimi i dhunës ndaj protestuesve, të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale, të respektojnë parimin e proporcionalitetit dhe të garantojnë të drejtat themelore të çdo qytetari. Raportimet për përdorimin e plumbave prej gome, gazit lotsjellës dhe granatave trullosëse kundër turmave të përbëra kryesisht nga studentë janë alarmante. Çdo rast i përdorimit të tepruar të forcës duhet të hetohet në mënyrë të pavarur dhe transparente, dhe personat përgjegjës duhet të mbahen para përgjegjësisë.
Shqetësimet e ngritura nga të rinjtë shqiptarë meritojnë një përgjigje të sinqertë dhe konkrete, jo shpërfillje. Etiketimi i një lëvizjeje të gjerë studentësh dhe qytetarësh si rezultat i ndërhyrjes së huaj nuk ndihmon në adresimin e pakënaqësive që i kanë nxjerrë ata në rrugë.
Thellësia dhe shtrirja e pakënaqësisë publike e bëjnë tashmë të qartë se një zgjidhje e qëndrueshme duhet të vijë nga vetë populli shqiptar. Për këtë arsye, IDU i bën thirrje qeverisë Rama të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme, duke garantuar respektimin e plotë të lirisë së medias, një administrim të pavarur zgjedhor dhe akses të pakufizuar për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë Zyrën e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
E ardhmja e Shqipërisë qëndron në një rrugëtim demokratik, të begatë dhe evropian. IDU qëndron në krah të popullit shqiptar në aspiratën e tij për një qeverisje të përgjegjshme, sundimin e ligjit dhe një të ardhme me mundësi e perspektivë në vendin e vet.
