Kryeqyteti u përball me një nga ditët më të tensionuara të protestave studentore, pasi tubimi i 13 tetorit degjeneroi në përplasje me Policinë, dëmtime të pronës publike dhe private, si dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore. Pas rreth nëntë orësh trazira, bilanci i raportuar përfshin 16 të arrestuar, 20 persona të lënduar dhe dhjetëra të shoqëruar.
Protesta nisi në mesditë përpara Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë u mblodhën për të ngritur shqetësimet e tyre për arsimin e lartë, kushtet universitare, mbështetjen financiare dhe mungesën e mundësive për punësim. Por situata u përshkallëzua brenda pak minutash, duke u zhvendosur nga kërkesat studentore drejt përplasjeve të dhunshme në disa zona të Tiranës.
Nga Ministria e Arsimit te Bashkia, përplasjet përhapen në kryeqytet
Përplasjet e para u regjistruan pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit hodhën gurë, vezë dhe sende të forta drejt godinës, duke thyer xhamat e fasadës. Disa prej tyre shkulën kangjellat e trotuarit dhe i përdorën për të hapur me forcë portën e institucionit.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por tensionet vijuan edhe gjatë marshimit në rrugët e kryeqytetit. Protestuesit bllokuan akse kryesore dhe u përplasën me efektivët, ndërsa në disa raste u përdorën gurë dhe sende të tjera të forta.
Situata doli jashtë zonës së ministrisë, duke përfshirë edhe biznese e institucione të tjera. Një grup protestuesish hyri në ambientet e një filiali të IuteCredit, ku i vuri zjarrin. Më pas, të rinjtë mësynë në katin e parë të Bashkisë së Tiranës.
Gjatë lëvizjes në qytet u dëmtuan edhe kantierë ndërtimi dhe elemente të infrastrukturës publike. Protestuesit shkulën tabela rrugore, si dhe hekurë e tulla nga trotuaret, duke lënë pas dëme materiale në disa zona të kryeqytetit.
20 të lënduar, 40 të shoqëruar dhe 16 të arrestuar
Bilanci i raportuar i protestës përfshin 20 persona të lënduar, mes tyre shtatë efektivë policie, dy gazetarë, tetë protestues dhe tre kalimtarë. Njëri prej kalimtarëve është pjesëtar i trupit diplomatik.
Ndërkohë, fillimisht u raportua për 40 persona të shoqëruar nga policia, ndërsa të dhënat e fundit flasin për 16 të arrestuar.
Një tjetër zhvillim që ka nxitur reagime lidhet me pamjet e një 19-vjeçari me këmbë të thyer, i cili shfaqet duke u shoqëruar nga efektivët pranë Parlamentit.
Pas publikimit të videos, Policia e Shtetit njoftoi pezullimin nga detyra të katër punonjësve të policisë dhe shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1. Sipas institucionit, kanë nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e trajtimit të të riut.
Për këtë qëllim është ngritur edhe një grup i posaçëm, i cili do të analizojë veprimet e punonjësve të Policisë nga fillimi deri në përfundim të tubimit.
Hiqet flamuri i Vatikanit, reagon Ministria e Jashtme
Gjatë protestës, një grup të rinjsh u ndal para selisë së Nunciaturës Apostolike në Tiranë, përfaqësisë diplomatike të Selisë së Shenjtë. Ata hoqën flamurin e Vatikanit nga godina dhe vendosën në vend të tij flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi incidentin, duke e cilësuar atë shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të normave ndërkombëtare.
Në reagimin zyrtar, MEPJ theksoi se mbrojtja e misioneve diplomatike është një detyrim themelor i shtetit shqiptar. Ministria nënvizoi se e drejta për protestë është pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin dhe të përjashtojë dhunën e vandalizmin.
Institucioni kërkoi identifikimin e autorëve dhe përgjegjësinë e tyre përpara ligjit. Gjithashtu, përshëndeti ndërhyrjen e Policisë së Shtetit dhe shprehu besimin se organet hetimore do të zbardhin plotësisht ngjarjen, ndërsa autoritetet do të marrin masat për garantimin e sigurisë së të gjitha përfaqësive diplomatike në vend.
Reuters raporton për protestën studentore
Ngjarjet në Tiranë morën vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Agjencia Reuters raportoi për protestën e 13 tetorit, duke vënë në fokus përplasjet mes studentëve dhe policisë, si dhe pakënaqësitë e të rinjve për sistemin arsimor dhe perspektivën e punësimit.
Në raportim përmenden hedhja e tullave dhe blloqeve të betonit drejt Ministrisë së Arsimit, si dhe përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia.
Shqetësimet e studentëve lidhen me cilësinë e arsimit të lartë, kostot e studimeve, kushtet në universitete, nevojën për investime në infrastrukturë dhe mundësitë e punësimit pas diplomimit. Mungesa e perspektivës dhe emigrimi i të rinjve mbeten gjithashtu ndër çështjet që kanë nxitur pakënaqësinë e tyre.
Protesta vijon edhe më 14 tetor
Pas ngjarjeve të së martës, studentët kanë paralajmëruar një tjetër tubim për sot, më 14 tetor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.
Protesta e radhës pritet të zhvillohet pas një dite të shënuar nga përplasjet, dëmet materiale, të lënduarit dhe arrestimet. Pritet të shihet nëse tubimi do të vijojë me të njëjtin intensitet dhe si do të reagojnë institucionet përballë kërkesave të studentëve dhe situatës së krijuar në kryeqytet.
