Skip to content

Ndiqni videon/ Fjalimi i Ditmir Bushatit vite më parë që sot është realitet

images 22

Në një kohë kur Tirana po përballet me protesta të vazhdueshme të studentëve, të rinjve dhe qytetarëve kundër qeverisë, një fjalim i mbajtur vite më parë nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në Kuvendin e Shqipërisë, rikthehet në vëmendje për aktualitetin e mesazheve të tij.

Në fjalën e tij, Bushati ngrinte shqetësimin për drejtimin që kishte marrë vendi, zhgënjimin e qytetarëve dhe përgjegjësinë e klasës politike për të ardhmen e Shqipërisë. Ai vinte në pikëpyetje përse shqiptarët nuk arrinin të gjenin gjuhën e përbashkët për të ecur përpara, ndërsa vendet fqinje po kapërcenin mosmarrëveshjet historike.

Ish-ministri ndalej veçanërisht te brezat e rinj, duke kritikuar përdorimin e vazhdueshëm të së kaluarës komuniste si justifikim për problemet e vendit. Ai theksonte se pas tri dekadash, politika shqiptare nuk mund të vazhdonte t’ia faturonte të shkuarës dështimet e saj.

“Ne jemi në një udhëkryq të madh. Lexova Financial Times, hapet me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Greqisë. Si ka mundësi, pse kur grekët e maqedonasit e gjejnë gjuhën të ecin para, ne si shqiptarë nuk e gjejmë? Pse nuk gjejmë dot gjuhën të ecim para?”, shprehej Bushati nga foltorja e Kuvendit.

Ai ngrinte gjithashtu shqetësimin për përqendrimin e pasurisë në duart e një numri të vogël njerëzish, largimin e shqiptarëve nga vendi dhe zhgënjimin e atyre që kishin kontribuar ndër vite për Shqipërinë.

“Po 30-vjeçarët, të cilët nuk e dinë se çfarë është komunizmi, do vijojmë t’u themi se është faji i Enverit? 30 vite nuk e justifikojmë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë shqiptarët. Është momenti i fundit të shohim nga e ardhmja e të mos bëhemi nostalgjikë të së shkuarës”, deklaronte ai.

Fjalimi i Bushatit merr një domethënie të veçantë në kontekstin e protestave të sotme në Tiranë, ku studentët dhe të rinjtë kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë kthyer në një nga kërkesat kryesore të tubimeve.

Mesazhi i dhënë vite më parë nga ish-ministri socialist, për përgjegjësinë e politikës ndaj brezave të rinj dhe nevojën për të parë drejt së ardhmes, rikthehet kështu në qendër të vëmendjes në një moment tensionesh të forta politike dhe shoqërore në vend.