Presidenti francez Emmanuel Macron tha se udhëheqësit e huaj, përfshirë ata “në anën tjetër të Atlantikut”, po përpiqen të shfrytëzojnë klimën e tensionuar sociale në Francë për pikët e tyre politike pas një fundjave të shënuar nga dhuna në rrugë dhe plaçkitjet.
Protestat për rritjen e kostos së jetesës janë përshkallëzuar në trazira dhe plaçkitje që kanë tërhequr vëmendjen e publikut botëror dhe kanë tronditur shumë qytetarë francezë. Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka përdorur dhunën për të mbledhur mbështetësit e tij politikë, duke bërë pretendime të pabaza se migrantët myslimanë janë përgjegjës për trazirat dhe duke i bërë thirrje Macron të “mbyllë kufijtë dhe të marrë kontrollin para se të jetë tepër vonë”.
Macron u përgjigj duke thënë se kishte pasur “manipulim informacioni” në ditët pas plaçkitjeve në Paris dhe qytete të tjera franceze fundjavën e kaluar.
“Kjo ka çuar në komente nga shumë njerëz, përfshirë udhëheqës të huaj, që janë po aq të papranueshme sa janë budallallëqe,” tha Macron.
I pyetur nga gazetarët nëse po i referohej Trump, Macron u përgjigj: “Ndër të tjerë.”
Ai shtoi se “janë shfaqur imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që tregojnë skena që nuk kanë ndodhur kurrë në Francë. Kishim njerëz që pretendonin se po na pushtonin një turmë emigrantësh dhe muslimanësh, gjë që është plotësisht e rreme.”
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, tha se zyra e tij mund t’u ofrojë vendeve të tjera sqarimet e nevojshme “për t’i ndihmuar ato të shmangin përhapjen ose amplifikimin e informacionit të rremë dhe bërjen e pretendimeve të pabaza në mediat sociale”.
