Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka vizituar Spitalin e Traumës për t’u informuar mbi gjendjen shëndetësore të Erjonit, 28-vjeçarit që u godit me plumb gome në sy nga policia gjatë protestës në Tiranë.
Shehaj ka takuar mjekët dhe familjarët e të riut, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe pritet të operohet sërish në ditët në vijim. Gjendja e tij mbetet shqetësuese, pasi ende nuk dihet nëse do të mund të shpëtojë shikimin në syrin e dëmtuar.
Nga Spitali i Traumës, Shehaj kërkoi që përgjegjësit e dhunës të përballen me ligjin, duke bërë përgjegjës edhe kryeministrin Edi Rama.
“U informova te Trauma si është gjendja e Erjonit, 28 vjeçarit që policia e goditi pabesisht me plumb gome në sy. Takova mjekët dhe familjarët. Erjoni i është nënshtruar një operacioni, do ketë nevojë edhe për një tjetër në ditët në vijim. Nuk dihet nëse do të shpëtojë shikimi në syrin e dëmtuar. Përgjegjësit e kësaj dhune do japin llogari para ligjit, me Edi Ramën në krye” – deklaroi Shehaj nga spitali i Traumës.
