Duket se Edi Rama nuk i ka të gjithë deputetët me vete për vendimin e shkarkimit të Ilir Metës.
Sot, deputeti Bashkim Fino tha se, Parlamenti nuk duhet të shkarkojë Presidentin Ilir Meta.
Fino u shpreh se ky akt do të thellonte më shumë gabimin që ka bërë mazhoranca kur e votoi Ilir Metën për President.
“Shumë prej nesh do të donim që Presidenti të shkarkohej sot dhe unë e
kuptoj presionin e militantëve të bazës së partisë për të shkuar drejt
procedurave të shkarkimit Meta. Janë po ata militantë dhe po ajo bazë që
na pa me inat kur e votuam Presidentin. Por unë sot them se gabimin që
kemi bërë dikur nuk mund ta thellojmë duke e shkarkuar. E lëmë të
shkruajë deri në fund, për aq sa mundet, teorinë e tij dhe teatrin e tij
presidencial. Ne duhet të lëmë që skenën finale të atij teatri ta luajë
nga zyra e Presidentit”, tha Bashkim Fino.
Deputeti i PS thotë se Presidenti i Republikës ka vetëm detyrim kushtetues që të caktojë datën e zgjedhjeve dhe jo ta anulojë.
