Andrey X është një nga aktivistët izraelitë më të njohur që dokumentojnë dhunën e kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, një veprimtari që e ka bërë të njohur përmes videove të publikuara në rrjetet sociale.
Të mërkurën në mbrëmje, ai u dhunua dhe u kërcënua nga një grup kolonësh të armatosur. Pak më vonë, policia izraelite e arrestoi bashkë me gazetarin dhe aktivistin amerikan Jasper Nathaniel.
Nuk është hera e parë që përballjet e tij me kolonët përfundojnë me dhunë, por këtë herë situata duket se ka qenë veçanërisht e rëndë.
Ngjarja ndodhi pranë fshatit palestinez Umm al-Khair, në zonën e Masafer Yatta-s, në jug të Hebronit. Kjo pjesë e Bregut Perëndimor është prej kohësh skenë përplasjesh të shpeshta mes kolonëve izraelitë, palestinezëve dhe aktivistëve që dokumentojnë sulmet.
Situata në këtë zonë u pasqyrua edhe në dokumentarin No Other Land, i cili fitoi çmimin Oscar në vitin 2025.
Andrey X, emri i vërtetë i të cilit është Andrey Khrzhanovskiy, është 28 vjeç dhe zotëron shtetësi ruse dhe izraelite. Ai u bë i njohur për videot që publikon në rrjetet sociale, të filmuara me telefon gjatë sulmeve të kolonëve në fshatrat palestineze.
Nuk dihet ende me saktësi se çfarë e shkaktoi përplasjen e fundit mes aktivistëve dhe kolonëve. Megjithatë, një pjesë e ngjarjes është filmuar nga aktivistja Adele Shoko, e cila pretendon se Andrey u rrah rëndë dhe humbi disa herë ndjenjat.
Në videon e publikuar prej saj, një kolon i afrohet aktivistit në mënyrë kërcënuese, me një armë automatike të varur në trup. Ai e kërcënon se do të qëllojë, e kap nga qafa dhe e urdhëron të ulet e të presë policinë.
Më pas i afrohet sërish dhe tenton ta godasë në kokë. Në një tjetër video, Andrey X shfaqet i shtrirë në tokë, i trullosur, ndërsa një ndihmës mjekësor po e kontrollon.
Sipas Shokos, gjendja e tij kërkonte transportimin në spital, por në vend të kësaj ai u arrestua nga policia. Pak më vonë u arrestua edhe Nathaniel.
THIS EVENING: Settlers attacked @the_andrey_x , @AdeleShoko , and @infinite_jaz near the closed gate at the entrance to the village of Umm al-Khair. Andrey suffered a head injury and repeatedly lost consciousness, but was taken to a police station instead of a hospital pic.twitter.com/K3gX8AeblA
— מחוץ לעדר/ kivsa shchora (@masafering) October 28, 2026
Ky është arrestimi i dytë i Andrey X brenda një jave. Ai ndodhet ende nën kujdestarinë e policisë izraelite, megjithëse mund të lirohet së shpejti.
Më 16 tetor, dy aktivistët kishin filmuar një tjetër episod dhune në Abu Falah, ku disa kolonë të maskuar sulmuan palestinezë që po mblidhnin ullinjtë, si dhe disa gazetarë.
Mes të dhunuarve ishte edhe Heidi Levine, fotografe amerikane e gazetës The Washington Post. Ajo u rrëzua përtokë dhe u godit me shkelma, duke përfunduar në spital me një brinjë dhe katër rruaza të thyera.
Fushata e vjeljes së ullinjve, është tradicionalisht një periudhë veçanërisht e rrezikshme për palestinezët. Gjatë saj, sulmet e kolonëve intensifikohen dhe shpesh shënjestrojnë edhe vetë ullishtat, nga të cilat shumë familje palestineze sigurojnë jetesën.
Këtë vit, dhuna gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve ka qenë edhe më e rëndë se zakonisht, duke shtuar rrezikun për banorët dhe për aktivistët e gazetarët që përpiqen të dokumentojnë atë që ndodh në terren. \\
