Në dritën e dyshimeve për ndërhyrje të huaja në zgjedhje, ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit dhe lideri i së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir, i ka kërkuar shërbimit të sigurisë Shin Bet që të arrestojë drejtuesit e partive arabe.
Ata dyshohen për përfshirje në çështjen e financimeve nga Katari. Ben-Gvir shtoi se bashkë me ta duhet të arrestohen “të gjithë dyshuarit e tjerë, përfshirë eksponentë të Vëllazërisë Musulmane dhe degëzimeve të tyre, për sa kohë ekzistojnë kushtet ligjore për të proceduar”.
Pra ajo që po shfaqet nën drejtimin e kabinetit të Benjamin Netanyahut nuk është thjesht një krizë e zakonshme politike, por një sulm ballor dhe pa asnjë kompromis ndaj çdo elementi demokratik në rajon.
Kërkesa agresive e radikalit të së djathtës ekstreme, për të përdorur aparatin e sigurisë shtetërore Shin Bet kundër udhëheqësve politikë arabë me pretekstin e shpikur të “fondeve nga Katari”, shënjon një pikë pa kthim.
Me fabrikimin e këtyre komploteve absurde dhe përshkallëzimin e paprecedentë të presionit politik, regjimi i Netanyahut po tregon hapur se nuk ka më asnjë synim të bëjë rotacion me votë të lirë apo të pranojë rregullat e lojës demokratike.
Përdorimi i instrumenteve të sigurisë për të goditur e parandaluar përfaqësimin politik të popullsisë arabe është një paralajmërim i qartë për ditët më të errëta që po vijnë për arabët dhe palestinezin në rajon.
Ndërsa Lindja e Mesme po zjen nga përplasjet gjeopolitike – siç dëshmohet nga shpërthimi i petrolierave dhe bllokimi ushtarak i Ngushticës së Hormuzit – udhëheqja izraelite po zgjedh të ushqejë paranojën e brendshme dhe represionin etnik.
Ky përshkallëzim, synon zhveshjen e plotë të pakicave nga të drejtat e tyre themelore, duke e zëvendësuar procesin politik me sundimin e frikës, përjashtimit dhe persekutimit të hapur.
Konsolidimi i pushtetit absolut përmes mekanizmave shtypës nuk është një reagim mbrojtës, por një strategji e mirëmenduar për të vendosur një hegjemoni të papsfidueshme brenda vendit.
Duke barazuar çdo opozitë ligjore apo zë përfaqësues të popullsisë arabe me “kërcënime ekzistenciale” dhe “ndërhyrje të huaja”, kabineti i Netanyahut po çmonton sistematikisht garancitë kushtetuese dhe po i kthen institucionet e drejtësisë në armë të luftës politike.
Ky është një model klasik autoritar, ku mbijetesa e regjimit vihet mbi paqen, ndërsa të drejtat njerëzore të arabëve dhe palestinezëve shkelen pa asnjë ngurrim në emër të “mbrojtjes kombëtare”. \\
