Donald Trump mund të përballet me dy vitet më të vështira të presidencës së tij, nëse republikanët humbasin kontrollin e njërës prej dhomave të Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit.
Sipas John Bolton, ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, një fitore e demokratëve do të hapte rrugën për hetime të gjera parlamentare ndaj presidentit, madje edhe për veprimtarinë e tij gjatë mandatit të parë.
Në këtë skenar, nuk përjashtohet as nisja e një procedure të tretë për shkarkimin e tij. Në një intervistë për agjencinë italiane Adnkronos, Bolton parashikon se demokratët, nëse fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve ose në Senat, do të përdorin komisionet parlamentare për të hetuar çdo aspekt të administratës Trump.
Hetimet mund të përfshijnë jo vetëm dy vitet e para të mandatit të dytë, por edhe periudhën 2017-2021, kur Trump drejtonte për herë të parë Shtetet e Bashkuara.
“Do të jenë dy vite shumë të pakëndshme për Trumpin dhe ai e di këtë”, paralajmëron Bolton. Sipas tij, komisionet e Kongresit do të thërrasin dëshmitarë, do të zhvillojnë seanca dëgjimore dhe do të kërkojnë dokumente për të shqyrtuar vendimet dhe veprimet e administratës.
Megjithatë, ish-këshilltari nuk pret që Trump ta marrë përsipër përgjegjësinë për një humbje të mundshme republikane. Ai beson se presidenti do t’ua faturojë rezultatin kandidatëve dhe drejtuesve të tjerë të partisë, duke shmangur çdo lidhje mes humbjes dhe politikave të tij.
“Trump e ndan botën në dy kategori njerëzish: fitues dhe humbës. Ai e konsideron veten fitues. Prandaj, nëse republikanët humbasin Dhomën e Përfaqësuesve ose Senatin, fajin do t’ia hedhë dikujt tjetër”, shprehet Bolton.
Paralajmërimi më i fortë i tij lidhet me mundësinë e një procedure të tretë impeachment-i kundër presidentit. “Besoj se në një moment mund të nisin procedurën e shkarkimit ndaj Trumpit. Madje, mund të ndërmarrin të njëjtën gjë edhe ndaj sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth”, deklaron ai.
Por nisja e procedurës, nuk do të thotë domosdoshmërisht se presidenti do të largohet nga detyra. Kushtetuta amerikane parashikon që akuzat për shkarkim miratohen fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë të thjeshtë.
Më pas çështja kalon në Senat, ku për shpalljen fajtor dhe largimin nga detyra nevojiten dy të tretat e votave të senatorëve të pranishëm. Nëse marrin pjesë të 100 senatorët, duhen 67 vota.
Bolton nuk beson se demokratët mund ta sigurojnë këtë shumicë. Edhe nëse arrijnë të bindin disa senatorë republikanë, sipas tij, mund të mbledhin vetëm 58 ose 59 vota, shumë më pak se numri i nevojshëm.
Trump është përballur edhe më parë me dy procedura impeachment-i, në vitet 2019 dhe 2021. Në të dyja rastet, Senati e shpalli të pafajshëm: më 5 shkurt 2020 dhe më 13 shkurt 2021.
Kështu, humbja e shumicës në Kongres mund ta kthejë pjesën e mbetur të presidencës së Trumpit në një betejë të vazhdueshme me hetimet dhe kundërshtimin parlamentar.
Një shkarkim i tretë është i mundshëm si skenar politik, por largimi i tij nga Shtëpia e Bardhë do të kërkonte një shumicë që, të paktën sipas parashikimit të Boltonit, demokratët vështirë se mund ta sigurojnë. \\
