Skip to content

“7 tetori” hyn në Knesset: kush janë 120 deputetët e rinj të Izraelit?

thumbs b c 1c22f031f77931a6d9f56f8a3e1d0fe9

Përbërja e Knessetit të 26-të tashmë mund të konsiderohet pothuajse përfundimtare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar ndarjen përfundimtare të 120 mandateve, e cila do t’i paraqitet presidentit Isaac Herzog më 4 nëntor, pas verifikimeve të fundit.

Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe pasojat e tij do të jenë të pranishme në Parlament përmes historive personale të disa prej deputetëve të rinj. Por, megjithëse kanë përjetuar të njëjtën tragjedi, ata nuk ndajnë domosdoshmërisht të njëjtat bindje politike.

Kjo është një nga veçoritë më domethënëse të legjislaturës së re. 7 tetori nxiti mobilizim qytetar dhe tashmë po prodhon përfaqësim parlamentar, por jo një front të përbashkët politik.

Në Likud-in e Benjamin Netanyahut është zgjedhur Talik Gvili, nëna e Ran Gvilit, policit të vrarë më 7 tetor, trupi i të cilit u dërgua në Gaza. Në të njëjtën parti është edhe Elisha Medan, rezervist që humbi të dyja këmbët gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.

Tzvika Mor, babai i Eitanit, i cili i mbijetoi robërisë në Gaza, është zgjedhur me listën e Sionizmit Fetar të Bezalel Smotrichut.

Gjatë luftës, ai ishte një nga zërat më të njohur të familjeve që kundërshtonin një marrëveshje për lirimin e pengjeve, nëse kjo do të kërkonte lëshime të mëdha ndaj Hamasit. Ai mbështeste vazhdimin e presionit ushtarak.

Në kampin e Avigdor Liebermanit, në Yisrael Beiteinu, është zgjedhur Sharon Sharabi, vëllai i Eliut, që i mbijetoi pengmarrjes, dhe i Yossit, i cili vdiq në robëri.

Për gati dy vjet, ai ishte një nga përfaqësuesit më të njohur të familjeve që kërkonin kthimin e pengjeve. Në të njëjtën listë është edhe Rafi Ben Shitrit, babai i Elroit, të vrarë më 7 tetor.

Në listën e përbashkët të Naftali Bennettit dhe Yair Lapidit, BeYachad, është zgjedhur Michal Hirsch Negri, nëna e ushtarit Roy, i vrarë në luftime.

Ndërsa në kampin e Gadi Eisenkotit, i cili vetë ka humbur një djalë dhe dy nipër ushtarë në Gaza, është Shira Shapira, nëna e Anerit. Ky i fundit u përpoq të shpëtonte të rinjtë e tjerë në strehën pranë festivalit Nova.

Familjet e viktimave dhe pengjeve vazhdojnë të jenë të ndara për përgjegjësitë e qeverisë, marrëveshjet e lirimit dhe vazhdimin e luftës. Përplasjet që deri tani janë zhvilluar në sheshe dhe protesta do të zhvendosen tashmë edhe brenda Parlamentit.

Një tjetër veçori e Knessetit të ri është pesha e ish-ushtarakëve. Rreth 73 për qind e deputetëve të zgjedhur kanë kryer shërbimin ushtarak. Mes tyre ka ish-gjeneralë dhe drejtues të shërbimeve sekrete, të shpërndarë në të gjithë spektrin politik.

Për shembull Yair Golan dhe Noam Tibon, ndërhynë personalisht më 7 tetor për të shpëtuar civilët e sulmuar nga Hamasi. Megjithatë, përvoja e përbashkët ushtarake nuk nënkupton të njëjtat qëndrime për sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit.

Kontrasti brezor është gjithashtu jo pak i dukshëm. Benjamin Netanyahu, i cili mbushi 77 vjeç pak ditë para zgjedhjeve, është kandidati më i moshuar për kryeministër në historinë e vendit.

Në skajin tjetër është Yonatan Shalev, 24 vjeç, i zgjedhur në listën Bennett-Lapid. Ish-rezervist i njësisë elitare Maglan, ai është një nga themeluesit e lëvizjes që kërkon një shpërndarje më të drejtë të detyrimit ushtarak.

Përbërja profesionale e parlamentit zbulon gjithashtu një Izrael shumë më të larmishëm sesa imazhi i zakonshëm politik. Ahmad Tibi, veteran i Knessetit dhe ish-këshilltar i Yasser Arafatit, është mjek gjinekolog.

Në të njëjtin kamp politik është Faten Ghattas, i angazhuar prej vitesh në parandalimin e kancerit mes arabëve izraelitë. Mansour Abbas, drejtuesi i partisë Raam, është dentist, ndërsa deputeti i tij Yasir Hujeirat është gjenetist.

Këto profile pasqyrojnë edhe peshën e arabëve në sistemin shëndetësor izraelit. Edhe pse përbëjnë rreth 21 për qind të popullsisë, ata përfaqësojnë 25 për qind të mjekëve, 27 për qind të dentistëve dhe infermierëve dhe 49 për qind të farmacistëve.

Në parlament rikthehen edhe personazhe të njohur të medias. Yair Lapid ka qenë një nga prezantuesit më popullorë të televizionit izraelit.

Boaz Bismuth ka drejtuar gazetën “Israel Hayom”, ndërsa Jacob Bardugo, komentator i kanalit televiziv Channel 14, i njohur si “Fox News i Izraelit”, është një tjetër mbështetës i afërt i Netanyahut.

Gratë do të kenë 33 mandate, ose 27.5 për qind të Parlamentit, katër më shumë se në legjislaturën e vitit 2022. Megjithatë, asnjë parti nuk drejtohet nga një grua, ndërsa partitë ultraortodokse Shas dhe Judaizmi i Bashkuar i Torës nuk kanë asnjë përfaqësuese femër.

Legjislatura e re shënon edhe rikthime dhe kalime të bujshme mes partive. Gideon Saar është rikthyer te Likud-i, pasi më parë ishte larguar dhe kishte luftuar politikisht kundër Netanyahut. Almog Cohen ka kaluar nga Otzma Yehudit te Likud-i, ndërsa Tally Gotliv ka bërë rrugën e kundërt.

Por kalimi më befasues është ai i Yoav Segalovitz, ish-drejtues i lartë i policisë dhe ish-deputet i Yesh Atid. Ai është bërë tashmë numri dy i listës së Mansour Abbas. \\