Serbia votoi kundër partisë së Aleksandar Vuçiçit. Por nëse votuesit vendosën gjithashtu t’i japin fund politikës së tij të jashtme, kjo është një çështje shumë më e ndërlikuar.
Për vite me radhë, Beogradi ka ndjekur një politikë të vështirë ekuilibrimi mes fuqive rivale. Anëtarësimin në Bashkimin Evropian e ka mbajtur si objektiv strategjik, megjithëse procesi i integrimit ka ngecur për shkak të regresit demokratik, mungesës së reformave dhe mosmarrëveshjeve mbi politikën e jashtme.
Njëkohësisht, Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, prej së cilës siguron një pjesë të madhe të gazit natyror dhe mbështetjen për qëndrimin e saj mbi Kosovën.
Paralelisht, ajo ka zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe të sigurisë me Kinën, ndërsa ka kultivuar lidhje më të afërta me Uashingtonin.
Edhe qëndrimi serb ndaj luftës në Ukrainë ka qenë më i ndërlikuar sesa sugjeron refuzimi për të sanksionuar Moskën. Municione të prodhuara në Serbi kanë përfunduar në Ukrainë përmes blerësve nga vende të treta, duke shkaktuar edhe akuza nga Rusia.
Tashmë, Lista Studentore ka fituar shumicën parlamentare me premtimin për të ndryshuar mënyrën se si qeveriset vendi. Por ndryshimi i orientimit ndërkombëtar të Serbisë është një sfidë krejt tjetër.
Shumicë e re, dilema të vjetra
Zgjedhjet e 25 tetorit i dhanë fund 14 viteve të pushtetit të Partisë Progresiste Serbe (SNS) të Vuçiçit. Sipas rezultateve paraprake, lista e mbështetur nga studentët siguroi 140 vende në parlamentin me 250 deputetë, kundrejt 104 vendeve të koalicionit të Vuçiçit.
Deri tani, nuk kanë shpallur as emrin e kryeministrit të ardhshëm. Më 29 tetor, përfaqësuesit e studentëve kërkuan dorëheqjen e drejtuesve të lartë të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, rishikimin e kontratave publike dhe rihapjen e hetimeve për korrupsionin.
Në të njëjtën kohë dha dorëheqjen edhe drejtuesi i televizonit shtetëror RTS. Këto kërkesa tregojnë se ku synon të nisë lëvizja reformimin e brendshëm. Por politika e jashtme paraqet një grup tjetër problemesh.
Lista Studentore bashkoi njerëz me bindje të ndryshme politike, të cilët i bashkonte kryesisht kërkesa për llogaridhënie dhe reforma demokratike, jo një program i përbashkët për politikën e jashtme.
Qëndrimi i saj kundër sanksioneve ndaj Rusisë është i ngjashëm me atë të qeverisë së larguar. Megjithatë, në një intervistë më 27 tetor, kandidati kryesor i listës, Ilija Srdanoviç, theksoi se integrimi evropian duhet të vazhdojë dhe se politika e jashtme duhet të jetë objekt i debatit publik, në vend që të përcaktohet nga një person i vetëm.
Ky dallim është i rëndësishëm. sepse Serbia mund të ruajë disa prej marrëdhënieve ekzistuese, por të ndryshojë mënyrën se si merren vendimet për to. Por Brukseli ka pritshmëritë e veta.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, paralajmëroi më 28 tetor se Serbia do ta ketë të vështirë të përparojë drejt anëtarësimit pa përafruar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të unionit, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Moska mbetet e rëndësishme për sigurinë energjetike të Serbisë, ndërsa investimet kineze janë të rrënjosura thellë në infrastrukturë, miniera dhe industri. Premtimi i studentëve për transparencë në prokurimet publike mund të sjellë kontroll më të rreptë të këtyre projekteve, pa nënkuptuar domosdoshmërisht ndërprerjen e bashkëpunimit.
Ballkani, prova e vërtetë e ndryshimit
Kosova mbetet një nga treguesit më të qartë të vazhdimësisë. Lista Studentore kundërshton njohjen e pavarësisë së saj, megjithëse Srdanoviç ka mbështetur vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Reformat demokratike në Beograd nuk nënkuptojnë automatikisht braktisjen e qëndrimeve nacionaliste që kanë ndikuar prej kohësh në marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët.
Një provë tjetër do të jetë Bosnjë-Hercegovina. Milorad Dodik, lideri separatist i serbëve të Bosnjës dhe politikani me orientim pro-rus, të cilit i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike pas një dënimi gjyqësor, i përgëzoi studentët për fitoren.
Ai deklaroi se Republika Srpska dhe Serbia do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku, duke ruajtur marrëdhëniet më të afërta dhe bashkëpunimin në çështjet rajonale e ndërkombëtare. Edhe Srdanoviç ka mbështetur vazhdimin e bashkëpunimit me Republikën Srpska.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet me Turqinë nuk pritet të pësojnë ndryshime të mëdha. Tregtia, projektet infrastrukturore dhe investimet kanë krijuar interesa të përbashkëta që shkojnë përtej marrëdhënieve personale mes Vuçiç dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.
Roli i Turqisë si faktor stabilizues në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i saj në dialogun rajonal, përbëjnë arsye të tjera për të pritur vazhdimësinë e bashkëpunimit mes Ankarasë dhe Beogradit.
Lëvizja studentore përballet tashmë me sfidën e kalimit nga kërkesa për llogaridhënie te marrja e përgjegjësive të qeverisjes. Politika e ekuilibrave e Vuçiç, nuk u përcaktua vetëm nga diplomacia e tij personale, por edhe nga varësitë ekonomike të Serbisë, interesat gjeopolitike dhe konfliktet e pazgjidhura rajonale.
Të gjitha këto kufizime vazhdojnë të ekzistojnë. Pyetja kryesore është nëse udhëheqësit e rinj do të dinë t’i menaxhojnë ndryshe, pa riprodhuar modelin e përqendrimit personal të pushtetit kundër të cilit u ngritën. \\
