Skip to content

Spajiç ngre alarmin për ndikimin serb në Mal të Zi

IMG 6437


Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiç, ka ngritur shqetësime për një ndërhyrje të mundshme politike nga Beogradi, duke paralajmëruar për përpjekje që mund të cenojnë stabilitetin e vendit dhe rrugën e tij drejt Bashkimit Europian.

Partia e drejtuar prej tij kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar nëse kompani serbe, mes tyre ‘M-tel’ dhe grupi financiar ‘Alta’, kanë shfrytëzuar lidhjet me televizionet malazeze për të ndikuar në përmbajtjen dhe linjën editoriale të mediave.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spajiç deklaroi se zhvillimet e fundit në Mal të Zi dhe në rajon dëshmojnë seriozitetin e informacioneve që disponojnë shërbimet vendase dhe partnerët e tyre të sigurisë.

Njëkohësisht, Kryeministri kërkoi që institucionet të identifikojnë personat dhe strukturat që kanë mbrojtur interesat e vendit, si dhe ata që, sipas tij, kanë bashkëpunuar me qendra të huaja pushteti përmes veprimeve të paligjshme, duke rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin e Malit të Zi. Kjo çështje rikthen në vëmendje paralajmërimet e bëra nga Spajiç më 27 gusht, kur ai deklaroi se shërbimet e sigurisë kishin informacione për një operacion të mundshëm të kordinuar nga aktorë rajonalë kundër Malit të Zi.