Në shtetin e Nju Jorkut është regjistruar vdekja e parë nga fruthi në 30 vitet e fundit. Viktima është një fëmijë nga konteja Luis, në pjesën veriore të shtetit, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore vendore.
“Jam thellësisht e pikëlluar kur mësova se një fëmijë në kontenë e Luisit ka ndërruar jetë pasi u infektua me fruth”, deklaroi në një komunikatë guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul. “Si nënë dhe gjyshe, nuk mund ta imagjinoj se çfarë po përjeton kjo familje!”.
Hochul, e cila i përket Partisë Demokrate, e lidhi këtë tragjedi edhe me politikat shëndetësore të administratës Trump. Sipas saj, vdekja e fëmijës është “një paralajmërim shkatërrues për atë që është në rrezik kur Uashingtoni rrëzon qëllimisht dekada përparimi në mbrojtjen e amerikanëve nga sëmundjet e parandalueshme”.
Shtetet e Bashkuara po përballen aktualisht me epideminë më të rëndë të fruthit në 35 vitet e fundit. Sipas të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri më 29 tetor ishin raportuar 4.834 raste infektimi në 47 shtete amerikane.
Në muajin tetor, guvernatorja Hochul shpalli gjendjen e emergjencës në Nju Jork, pas shfaqjes së disa vatrave të fruthit në këtë shtet dhe në zonat fqinje.
Fruthi konsiderohej i eliminuar në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2000, pas fushatave të suksesshme të vaksinimit që për vite me radhë kishin kufizuar përhapjen e sëmundjes.
Megjithatë, vitet e fundit ai është rikthyer në mënyrë shqetësuese, i nxitur nga skepticizmi në rritje ndaj vaksinave dhe mosbesimi ndaj institucioneve shëndetësore.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, që shkakton temperaturë të lartë, simptoma të rrugëve të frymëmarrjes dhe skuqje të lëkurës.
Në rastet më të rënda mund të shkaktojë pneumoni dhe inflamacion të trurit, duke sjellë pasoja fatale. Në mbarë botën, kjo sëmundje vazhdon të shkaktojë dhjetëra mijëra viktima çdo vit.
Lajmi ka shkaktuar reagime edhe në Itali. Matteo Bassetti, drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Spitalin Poliklinik San Martino, në Xhenova, si dhe profesor në Universitetin e Xhenovës, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Pas më shumë se 30 vjetësh, në shtetin e Nju Jorkut njerëzit po vdesin sërish nga fruthi. Një fëmijë ka ndërruar jetë gjatë një epidemie që është ende në zhvillim. Ky është çmimi i injorancës së maskuar si liri zgjedhjeje, i dezinformimit dhe i refuzimit të vaksinave. Mendonim se i kishim lënë pas këto vdekje. Gaboheshim“, shkruan Bassetti.
Infektologu paralajmëron se një tragjedi e ngjashme mund të ndodhë edhe në Itali, ku mbulimi me vaksina ka shënuar rënie.
