Dhjetë vende të Bashkimit Evropian dhe Australia, kanë bashkuar provat dhe informacionet për hetimet mbi abuzimet e pretenduara të forcave izraelite ndaj aktivistëve të flotiljes humanitare Global Sumud, e cila po transportonte ndihma drejt Gazës.
Akuzat përfshijnë torturë, rrëmbim, keqtrajtim fizik dhe seksual, si dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë ndërhyrjes së forcave izraelite në ujërat ndërkombëtare dhe ndalimit të aktivistëve.
Sipas një investigimi të gazetës spanjolle El País, prokurorë nga Spanja, Franca, Italia, Portugalia, Belgjika, Holanda, Polonia, Sllovakia, Suedia dhe Finlanda, së bashku me përfaqësues të Australisë, kanë shkëmbyer prova dhe të dhëna për çështjet e hapura kundër politikanëve, zyrtarëve dhe komandantëve ushtarakë izraelitë, përfshirë anëtarë të qeverisë së Benjamin Netanyahut.
Bashkëpunimi u konfirmua pas një takimi të zhvilluar më 16 shtator në Hagë, i koordinuar nga Eurojust, agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin gjyqësor.
Takimi zgjati rreth tetë orë dhe kishte si qëllim shkëmbimin e informacioneve për hetimet kombëtare mbi dy ndërhyrje të forcave izraelite: atë të tetorit 2025 dhe një tjetër në maj të këtij viti.
Ndërkohë, në të paktën pesë vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë, Norvegjinë dhe Austrinë, janë depozituar kallëzime, por autoritetet ende nuk kanë vendosur nëse do të hapin hetime zyrtare.
El País raporton se Spanja ka qenë ndër vendet e para që ka nisur hetimet. Në qershor 2025, prokurorja Dolores Delgado hapi një dosje për veprimet e ushtrisë izraelite ndaj popullsisë civile në Gaza, me synimin për të mbledhur prova që mund të përdoren edhe në procedurat ndërkombëtare kundër Izraelit.
Pas ndërhyrjes ndaj flotiljes në tetor të vitit të kaluar, hetimet u zgjeruan edhe me dëshmi të aktivistëve të përfshirë. Mes tyre ishte edhe Ada Colau, ish-kryebashkiake e Barcelonës.
Më pas, çështja kaloi në Gjykatën e Lartë spanjolle, ku gjyqtari Francisco de Jorge pranoi shqyrtimin e kallëzimit penal kundër shefit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, dhe komandantit të marinës, Ram Rotberg.
Spanja ka një veçori juridike. Atje gjykata ka argumentuar se mund të hetojë krimet e pretenduara të kryera në bordin e anijeve që lundronin nën flamurin spanjoll, të cilat për efekt të së drejtës ndërkombëtare konsiderohen territor spanjoll.
Megjithatë, juridiksioni i saj nuk shtrihet mbi abuzimet e pretenduara pas transferimit të aktivistëve në territorin izraelit ose në anije të tjera. Gazetari Néstor Prieto, një prej pjesëmarrësve të flotiljes dhe nismëtar i kallëzimit, e ka cilësuar hetimin pozitiv, por të pamjaftueshëm, pasi një pjesë e madhe e abuzimeve pretendohet se ka ndodhur gjatë ditëve të ndalimit në Izrael.
Dëshmitë e aktivistëve flasin për një përshkallëzim të dhunës nga një mision në tjetrin. Gjatë ndërhyrjes së tetorit 2025, anijet ushtarake rrethuan flotiljen, përdorën gaz lotsjellës dhe hynë me forcë në bord.
Aktivistët pretendojnë se u mbajtën për 12 deri në 14 orë të izoluar, u kërcënuan me armë, u keqtrajtuan fizikisht dhe verbalisht dhe u privuan nga ushqimi, uji dhe ilaçet.
Në misionin e majit, pretendohet se dhuna ishte edhe më e rëndë. Sipas dëshmive të pjesëmarrësve, u regjistruan të paktën 35 fraktura kockore dhe më shumë se dhjetë akuza për abuzime seksuale.
Aktivistët kanë raportuar gjithashtu përdorimin e elektroshokut dhe granatave trullosëse. Një nga episodet që shkaktoi reagim të fortë ndërkombëtar ishte publikimi nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, ekstremisti i djathtë Itamar Ben Gvir, i pamjeve ku aktivistët e arrestuar shfaqeshin të lidhur, të detyruar të gjunjëzoheshin dhe të poshtëruar publikisht.
“Kështu i presim mbështetësit e terrorizmit. Mirë se vini në Izrael”, deklaroi ai në videon e publikuar në rrjetet sociale. Pamjet shkaktuan reagime edhe brenda Izraelit, përfshirë kritika nga vetë Netanyahu.
Në Itali, prokuroria ka ndërmarrë një nga hetimet më të gjera. Pas kallëzimeve të 50 aktivistëve italianë, autoritetet kanë hapur një çështje jo vetëm kundër Ben Gvir, por edhe ndaj 13 zyrtarëve të tjerë të lartë izraelitë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz.
Hetimi synon të rindërtojë të gjithë zinxhirin e ngjarjeve, nga ndërhyrja e dhunshme në det deri te deportimi i aktivistëve. Nën shqyrtim janë edhe komandantë të lartë ushtarakë, drejtues të policisë, përgjegjës të bazës detare në Ashdod dhe drejtues të burgut Ketziot, ku u mbajtën disa prej aktivistëve.
Prokurorët italianë dyshojnë se abuzimet nuk kanë qenë episode të izoluara, por pjesë e një praktike të përsëritur dhune, të zbatuar nën të njëjtin zinxhir komandues.
Hetime të tjera janë hapur në Francë dhe Poloni, ndërsa policia australiane po shqyrton akuzat për përdhunim dhe torturë të ngritura nga aktivistë australianë. Në Holandë, shtatë pjesëmarrës të flotiljes kanë depozituar kallëzim për abuzime seksuale nga ushtarakët izraelitë.
Në gusht, edhe Turqia lëshoi urdhërarreste për 35 persona të dyshuar izraelitë, mes tyre Benjamin Netanyahu, për krime kundër njerëzimit dhe torturë ndaj pjesëmarrësve të flotiljes.
Shqipëria, përjashtim i turpshëm nga reagimi evropian
Në këtë panoramë, Shqipëria përfaqëson një kontrast domethënës. Edhe vendi ynë kishte aktivistin e vet në flotiljen Global Sumud, Baki Goxhajn, i cili u dhunua gjatë ndërhyrjes izraelite.
Megjithatë, ndryshe nga dhjetë vendet evropiane që kanë hapur hetime dhe po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave, Tirana nuk ka ndërmarrë asnjë hetim të njohur për trajtimin e qytetarit shqiptar.
Heshtja është veçanërisht domethënëse, sepse nuk bëhet fjalë për një incident pa dëshmitarë apo për një çështje të largët nga interesat e Shqipërisë. Një qytetar shqiptar ishte pjesë e një misioni humanitar dhe pretendon se është keqtrajtuar nga forcat izraelite.
Ndërsa qeveritë e tjera kërkojnë përgjegjësi dhe prokuroritë e tyre mbledhin prova, autoritetet shqiptare nuk kanë treguar as vullnetin minimal për të shqyrtuar rastin.
Ky qëndrim ngre pikëpyetje serioze për marrëdhëniet Tiranë–Tel Aviv dhe për kufijtë e gatishmërisë së qeverisë shqiptare për të mbrojtur qytetarët e saj kur kjo mund të cenojë marrëdhëniet politike me Izraelin.
Nëse dhjetë shtete evropiane e konsiderojnë të domosdoshëm hetimin e këtyre akuzave, pse Shqipëria zgjedh të mos bëjë asgjë? Heshtja e Tiranës nuk është thjesht mungesë reagimi diplomatik, por një tregues shqetësues i mënyrës se si pushteti i trajton detyrimet ndaj qytetarëve të vet. \\