Skip to content

EMRI-FOTO/ Me pistoletë dhe municion në motomjet, arrestohet 49-vjeçari me precedent kriminal, në banesë iu gjet edhe jelek antiplumb

Policia

Një 49-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri me motomjet, në Rrugën e Elbasanit. Policia bën me dije se i arrestuari, shtetasi Eduart Dushku, ka precedent të theksuar kriminal për vepra penale kundër jetës dhe për armëmbajtje pa leje.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Eksponenti”, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Gjatë kontrollit të motomjetit me të cilin lëvizte 49-vjeçari, efektivët gjetën një pistoletë me municion, të cilën ai dyshohet se do ta trafikonte.

(Eduart Dushku)

Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku u sekuestrua një jelek antiplumb. Në cilësinë e provës materiale u morën gjithashtu arma e zjarrit, motomjeti dhe telefoni celular i të arrestuarit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.