Nazif Murat Ersavcı, Daily Sabah
Ballkani nuk ndodhet as në një krizë të përgjithshme sigurie, as në një gjendje paqeje të qëndrueshme. Polarizimi politik, institucionet e brishta, mosmarrëveshjet e pazgjidhura dhe pasiguria ekonomike vazhdojnë ta ekspozojnë rajonin ndaj rrezikut të tensioneve të reja.
Sfida nuk është thjesht parandalimi i krizës së ardhshme, por ndërtimi i një rajoni ku dallimet politike zgjidhen në mënyrë paqësore, mirëqenia ndahet mes të gjithëve dhe stabiliteti bëhet i qëndrueshëm.
Turqia ka një rol të rëndësishëm në këtë përpjekje. Pozita e saj gjeografike, anëtarësimi në NATO, marrëdhëniet diplomatike dhe prania ekonomike i japin një ndikim të konsiderueshëm rajonal.
Shekuj të tërë ndërveprimi historik, shkëmbimesh kulturore dhe migracioni kanë krijuar gjithashtu lidhje të qëndrueshme ndërmjet Turqisë dhe popujve të Evropës Juglindore. Për Ankaranë, stabiliteti në Ballkan përbën njëkohësisht përparësi strategjike dhe çështje të lidhjeve të ngushta shoqërore.
Zhvillimet në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë dëshmojnë për cenueshmërinë e vazhdueshme të rajonit. Zhvillimet e fundit politike në Beograd mund të krijojnë mundësi për ndryshime, por rëndësia e tyre do të varet nga përgjegjshmëria e qeverisjes, funksionimi i institucioneve dhe një qasje konstruktive ndaj marrëdhënieve rajonale.
Duke pasur parasysh ndikimin e Serbisë në rajon dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura me vendet fqinje, drejtimi që do të marrë politika e saj do të ndikojë gjithashtu në perspektivat e stabilitetit.
Bosnja përballet me një sfidë tjetër. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e ka ruajtur paqen që prej përfundimit të luftës, por ndërlikimi institucional dhe përçarjet e vazhdueshme politike vazhdojnë të pengojnë qeverisjen.
Sfidat ndaj autoritetit të institucioneve shtetërore nënvizojnë nevojën për mbështetje të vazhdueshme ndaj rendit kushtetues të vendit, shtetit të së drejtës dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore detyruese.
Këto raste tregojnë se vetëm parandalimi ushtarak nuk mund të garantojë një paqe afatgjatë. Angazhimi i Turqisë ndërthur interesat strategjike me lidhjet historike dhe shoqërore.
Diaspora ballkanike në Turqi, së bashku me lidhjet familjare, shkëmbimet arsimore dhe rrjetet tregtare, krijon kanale komunikimi që shkojnë përtej diplomacisë zyrtare.
Këto lidhje kanë vlerën më të madhe kur nxisin përfshirjen dhe bashkëjetesën, në vend që të favorizojnë komunitete të caktuara etnike, fetare apo politike.
Qasja e Turqisë mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial, barazinë e qytetarëve, të drejtat e pakicave dhe bashkëjetesën paqësore. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë përbën një tjetër dimension të rëndësishëm. Pjesëmarrja e Turqisë në Forcën e NATO-s për Kosovën (KFOR) dhe në misionin EUFOR Althea, të drejtuar nga Bashkimi Evropian në Bosnjë-Hercegovinë, ndihmon përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve.
Ndonëse këto misione nuk mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet politike, ato ndihmojnë në ruajtjen e kushteve të nevojshme për dialog. Marrëdhëniet diplomatike të Turqisë, mund të ndihmojnë gjithashtu në shmangien e keqkuptimeve dhe në arritjen e marrëveshjeve konkrete.
Një shembull i rëndësishëm është Platforma e Paqes në Ballkan, e krijuar nën udhëheqjen e Turqisë në vitin 2025. Ajo bashkon Turqinë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synon të forcojë dialogun rajonal, besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin praktik.
Kjo nismë krijon një kanal shtesë për trajtimin e sfidave të përbashkëta dhe plotëson mekanizmat ekzistues ndërkombëtarë. Pasiguria ekonomike mund të nxisë emigracionin, të dobësojë kapacitetet prodhuese dhe të minojë besimin te institucionet politike.
Për këtë arsye, tregtia, investimet dhe ndërlidhja rajonale janë përbërës thelbësorë të çdo strategjie për një paqe të qëndrueshme. Tregtia e Turqisë me vendet e Ballkanit arriti në rreth 35 miliardë dollarë.
Vlerësimet për investimet turke ndryshojnë në varësi të shtrirjes gjeografike dhe metodologjisë së përdorur. Ato variojnë nga rreth 8.6 miliardë dollarë në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor deri në vlerësime më të gjera rajonale që i afrohen shifrës prej 24.6 miliardë dollarësh.
Angazhimi tregtar i Turqisë mund të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës, mbështetjen e bizneseve vendase, zhvillimin e industrisë përpunuese, rritjen e aftësive profesionale dhe forcimin e zinxhirëve rajonalë të furnizimit.
Kontributi i tij varet nga investimet e përgjegjshme, rregullimi transparent dhe partneritetet efektive me aktorët vendas, të cilat forcojnë kapacitetet prodhuese të ekonomive pritëse.
Infrastruktura e transportit, siguria energjetike dhe lehtësimi i tregtisë ofrojnë mundësi premtuese për përparim të mëtejshëm. Lidhjet më të mira rajonale mund të ulin kostot e tregtisë, të lehtësojnë investimet dhe të përmirësojnë qasjen në tregjet evropiane.
Arsimi, zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përgatitja për fatkeqësitë natyrore mund të sjellin gjithashtu përfitime konkrete për shoqëritë e rajonit.
Bashkëpunimi ekonomik nuk mund t’i zëvendësojë reformat politike. Vlera e tij qëndron në krijimin e mundësive, forcimin e ndërvarësisë dhe ofrimin e stimujve konkretë për qeveritë dhe bizneset e rajonit, në mënyrë që ato të ndjekin interesat e përbashkëta.
Turqia mund të ndihmojë në ndërthurjen e këtyre përparësive strategjike përmes nismave konkrete në fushën e sigurisë, transportit, energjisë dhe tregtisë. Përpjekje të tilla do të plotësonin, dhe jo do të zëvendësonin, reformat politike dhe pajtimin rajonal, të domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë në Evropën Juglindor.
Pozita strategjike e Turqisë, angazhimet në fushën e sigurisë, marrëdhëniet diplomatike dhe lidhjet ekonomike i japin asaj kapacitete të konsiderueshme për të kontribuar në paqen dhe mirëqenien e Ballkanit.
