Pallati i dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm i gazit në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan është i pabanueshëm dhe duhet të shembet. Kështu deklaroi drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, pas inspektimit të objektit, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën 10 të tjerë.
Shkrepa bëri të ditur se pallati është ndërtuar në vitet ’70 dhe ka një strukturë me soletë SAP dhe tulla silikate. Sipas saj, objekti ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e valës së goditjes nga shpërthimi, por edhe nga zjarri që pasoi. Drejtoresha theksoi se ndërtesa duhet të shembet dhe se deri atëherë duhet të merren masa të menjëhershme sigurie. Ajo sqaroi se njëri seksion i pallatit nuk është prekur nga shpërthimi, ndërsa pjesa tjetër është e pabanueshme dhe e paarritshme për banorët.
Shkrepa nënvizoi se çdo hyrje e banorëve në pjesën që nuk është dëmtuar duhet të bëhet vetëm të shoqëruar nga forcat zjarrfikëse. Gjithashtu, sipas saj, duhet të sigurohen edhe objektet përreth, në një rreze prej 30 metrash nga pallati i dëmtuar.
“Atëherë ky është një objekt, ne kemi konstatuar sot i ndërtuar në vitet 70, është një objekt me një strukturë të solete sap dhe me një tullë silikat. Gjë që dëmtimet që ka pësuar kanë qenë të forta nga goditja e gazit, po edhe nga dëmtimi i zjarrit. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm, do të duhet të merren masa sa më të shpejta për t’u demoluar.
Duhet të merren masa patjetër që edhe banorët të cilët do duhet të hyjnë në objekt, në seksionin e parë kur nuk ka pasur goditje, dhe seksioni i dytë është i pabanueshëm dhe i paaksesueshëm nga asnjë banor. do të duhet të bëhet shoqëruar me forca zjarrefikse. Si edhe masa e dytë që duhet të marrë në një rreze prej 30 metrash do duhet që sigurohen edhe objektet që janë përreth objektit të ndërtuar.”, tha drejtoresha.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja bëri të ditur se banorët që nuk kanë mundësi të qëndrojnë te të afërmit janë akomoduar në konviktin e qytetit, ku u janë siguruar edhe ushqimet. Sipas tij, Bashkia do të vijojë t’u garantojë strehim deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe marrjen e masave sipas ligjit për emergjencat civile. Duke iu përgjigjur kritikave për kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, kryebashkiaku deklaroi se zjarrfikësja e Elbasanit është ndër më të pajisurat në vend dhe se disponon mjete të reja, të cilat, sipas tij, kanë qenë në gjendje të plotë pune.
Gazetarja: Aktualisht, si paraqitet gjendja dhe cilat janë masat e marra për banorët?
Gledian Llatja, : Gjatë ditës së djeshme është punuar në terren nga forcat e Emergjencave Civile, fillimisht për evakuimin e banorëve dhe shuarjen e zjarrit, e më pas për menaxhimin e situatës. U bë e mundur nxjerrja e trupave të dy personave nga godina e dëmtuar. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe ka shkaktuar dëmtime të theksuara strukturore. Për këtë arsye, na është dashur ndërhyrja sot e strukturave të Institutit të Ndërtimit për të kryer një ekspertizë më të specializuar. Gjatë natës së kaluar, grupi i kërkim-shpëtimit ndërhyri për nxjerrjen dhe evidentimin e trupit të të ndjerit. Aktualisht, situata paraqitet ende problematike nga pikëpamja strukturore, me rrezik për shembjen e katit të pestë, gjë që mund të shkaktojë dëmtime të mëtejshme në strukturat ngjitur apo edhe në vetë pallatin. I gjithë objekti nuk është ende i sigurt për strehimin e banorëve apo për të lejuar lëvizje të shumta brenda tij.
Gazetarja: A janë marrë masa për strehimin e banorëve dhe si do të veprohet më tej, të paktën sipas parashikimeve ligjore?
Gledian Llatja: Që mbrëmjen e kaluar janë marrë masa për akomodimin e të gjithë personave që nuk kishin mundësi të strehoheshin. Ata janë sistemuar në konviktin e qytetit të Elbasanit, ku u janë siguruar edhe ushqimet përkatëse. Një pjesë e madhe e banorëve kanë dalë nga banesat vetëm me rrobat e trupit. Disa prej tyre kanë qëndruar te të afërmit, ndërsa të tjerë janë akomoduar në strukturat tona të strehimit. Do të vijojmë t’i strehojmë në ambientet e Bashkisë së Elbasanit deri në përfundimin e procedurave ligjore. Menjëherë pas përfundimit të raporteve përkatëse nga strukturat ligjore, Bashkia e Elbasanit do të marrë masat sipas parashikimeve të ligjit për emergjencat civile.
Pyetje: Gazetarja: Më herët patëm edhe një deklaratë nga drejtuesi i shërbimit zjarrfikës. A i ka pasur zjarrfikësja e Elbasanit të gjitha kapacitetet e duhura? Çfarë pajisjesh disponon dhe a ishte ndërhyrja profesionale?
Gledian Llatja: Zjarrfikësja e Elbasanit ka qenë dhe mbetet një nga shërbimet zjarrfikëse më të pajisura në Shqipëri. Ne e kemi pajisur me mjete të reja, përfshirë shkallën përkatëse, autoshkallën zjarrfikëse, si dhe koshin që vjen në ndihmë të Emergjencave Civile. Pajisjet janë të gjitha të reja. Dy automjetet kanë qenë plotësisht funksionale dhe profesionale. Edhe katër mjetet e tjera që struktura jonë ka pasur në dispozicion janë brenda të gjithë parametrave dhe në funksion të plotë. Është e vërtetë që në rrjetet sociale ka pasur një deklaratë lidhur me kushtet e zjarrfikëses së Elbasanit, por ajo i plotëson të gjitha parametrat. Momentet e ndërhyrjes në zjarr nga strukturat përkatëse, pra nga zjarrfikësi, personeli që drejton procesin e shuarjes së zjarrit dhe personi që komandon pompën e automjetit zjarrfikës, janë dy procese të ndryshme. Në momentin që zjarrfikësi njofton se është pozicionuar për të luftuar zjarrin, jep sinjalin për hapjen e ujit dhe vendosjen e presionit të përcaktuar nga sistemi i pompës. Kjo është e domosdoshme, pasi në të kundërt mund të rrezikohet edhe vetë zjarrfikësi nga presioni i ujit në sistemin e fikjes së zjarrit.
