Në Gjykatën e Posaçme u mbajt seanca e radhës në procesin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Në nisje të gjyqit, ish-presidenti paraqiti tri kërkesa: të dilte nga kafazi i xhamit dhe të ulej pranë avokatit të tij, të lejoheshin kamerat të transmetonin procesin gjyqësor, si dhe të verifikoheshin pajisjet e përgjimit në ambientet e paraburgimit gjatë takimeve me avokatin mbrojtës, Bujar Musta.
Prokurori Arben Kraja kundërshtoi lejimin e kamerave, ndërsa për pretendimet mbi pajisjet e përgjimit deklaroi se kjo çështje është jashtë kompetencave të SPAK. Sa i përket kërkesës për daljen nga kafazi i xhamit, ai ia la vendimmarrjen gjykatës.
Pas shqyrtimit të kërkesave, gjykata vendosi të rrëzojë dy prej tyre. Ndërsa për pretendimet e Metës lidhur me përgjimin e komunikimeve me avokatin, gjyqtari Erion Bani bëri të ditur se çështja do t’i përcillet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për verifikim.
