Skip to content

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan zbardh detajet e ndërhyrjes pas shpërthimit tragjik: Viktimat humbën jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri! Pasojat mund të ishin katastrofike nëse…

Capture 19

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, Emirjon Sota, ka dhënë detaje mbi operacionin e vështirë të kërkim-shpëtimit dhe evakuimit pas shpërthimit të fuqishëm të bombolës së gazit në pallatin e lagjes “Qemal Stafa”, ku humbën jetën dy persona. Sipas tij, ndërhyrja me autoshkallë ishte vendimtare për nxjerrjen e banorëve nga katet e sipërme, ndërsa dy viktimat u gjetën nën rrënoja dhe kishin ndërruar jetë nga shpërthimi.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Elbasanit, Emirjon Sota, ka sqaruar për mediat dinamikën e ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse pas tragjedisë së rëndë që tronditi qytetin, ku shpërthimi i një bombole gazi shkaktoi shkatërrimin e një pjese të pallatit dhe u mori jetën dy banorëve. Sipas Sotës, njoftimi për ngjarjen mbërriti në sallën operative të zjarrfikëses rreth orës 14:30. Menjëherë pas alarmit, drejt vendngjarjes u nisën mjetet zjarrfikëse dhe autoshkallët për të përballuar situatën emergjente. Me mbërritjen në pallat, efektivët konstatuan se zjarri kishte përfshirë katin e tretë dhe të katërt. Për shkak të përmasave të ngjarjes dhe vështirësive të krijuara nga shpërthimi, u kërkua edhe mbështetja e forcave zjarrfikëse nga bashkitë e tjera.

Në operacion u angazhuan gjithashtu strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat vendosën perimetrin e sigurisë, ndërsa vijoi evakuimi i banorëve dhe ndërhyrja për neutralizimin e vatrave të zjarrit. Sota bëri të ditur se gjatë operacionit u shpëtuan dhe u evakuuan disa fëmijë dhe të moshuar. Ndërhyrja u realizua nga të dyja anët e pallatit, ndërsa autoshkalla u përdor për të nxjerrë banorët që ndodheshin në katet e sipërme, pasi shkallët e brendshme të ndërtesës ishin dëmtuar rëndë.

“Është ndërhyrë me autoshkallë nga pjesa ballore, nga unaza. Janë transportuar të gjithë personat që ndodheshin në katet lart, në katin e katërt dhe të pestë”, deklaroi drejtori i zjarrfikëses. Duke u ndalur te rëndësia e mjeteve të specializuara në këtë operacion, Sota theksoi se mungesa e autoshkallës mund ta kishte përkeqësuar ndjeshëm bilancin e tragjedisë.

“Duke marrë shkas nga lloji i zjarrit, nga shpërthimi i fuqishëm, nga bllokimi i hyrjes së pallatit, pasojat ndoshta do të ishin më katastrofike”, u shpreh ai. Një nga deklaratat më të rëndësishme të Sotës lidhej me shkakun e vdekjes së dy personave të gjetur në rrënojat e pallatit. Sipas tij, viktimat nuk kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit, por drejtpërdrejt nga fuqia e shpërthimit. “Të dy trupat e viktimave që janë gjetur brenda pallatit, janë gjetur nën rrënoja dhe kanë humbur jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri”, sqaroi Sota. I pyetur edhe për kapacitetet teknike të Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, pas diskutimeve mbi pajisjet dhe mjetet në dispozicion, drejtori bëri të ditur se bashkia disponon gjithsej tetë automjete: gjashtë mjete zjarrfikëse me pompë centrifugale, një autobot dhe një autoshkallë.

Sota mbrojti punën e efektivëve që u angazhuan në operacionin e vështirë, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e tyre në përpjekje për të shpëtuar jetët e banorëve. “Bashkia Elbasan disponon të gjitha mjetet për të tilla situata. Nuk mund të hedhim poshtë punën e gjithë atyre punonjësve që sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Besoj se misionin e kryen”, përfundoi drejtori i Shërbimit Zjarrfikës. Tragjedia në Elbasan vijon të mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e dëmeve strukturore dhe vlerësimin e sigurisë së pallatit pas shpërthimit shkatërrues.