Skip to content

Eksperti Gjipali: Integrimi në BE nuk varet nga Rama, procesi duhet të jetë përtej një personi apo force politike

gjipali

Eksperti i integrimit, Gledis Gjipali, deklaroi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk do të ndalej në rast se kryeministri Edi Rama do të largohej nga detyra.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ku analizoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, Gjipali theksoi se integrimi është një proces shumë më i gjerë sesa vullneti apo vendimmarrja e një individi.

I pyetur nëse dorëheqja e Ramës mund të sillte ngecjen e procesit, eksperti u përgjigj negativisht, duke e cilësuar si një nga dobësitë e Shqipërisë mungesën e një procesi më të gjerë konsultimi dhe përfshirjeje.

Ai nënvizoi se Shqipëria është prej disa dekadash në rrugën e integrimit evropian dhe se ky objektiv duhet të jetë një domosdoshmëri kombëtare, jo një projekt i lidhur me një kryeministër, forcë politike apo mazhorancë të caktuar.

“Sigurisht që jo, dhe kjo është një nga dobësitë e procesit në Shqipëri. Që nuk ka një proces më të gjerë apo konsultues, pra asnjëherë nuk ngelet në dorë të një personi pavarësisht pozicionit që kryeministri ka ,sigurisht është më i rëndësishmi në vendimmarrje në Shqipëri nga vetë struktura e shtetit shqiptar. Por ky proces është më i gjerë dhe shkon përtej një personi apo një procesi politik 4-vjeçar dhe ne e dimë mirë, sepse janë disa dekada në këtë proces. Ndaj është me rëndësi të kemi një përfshirje më të gjerë dhe të mos jemi të kushtëzuar te një apo pesë persona sepse është shumë e rëndësishme për vendin për të qenë domosdoshmëri e një personi apo e një force politike apo e një mazhorance”, tha ai.