Skip to content

“Ku e gjejnë këtë guxim?!”, Afrim Osmani: 1/4 e tenderave bëhen me 1 ofertë. Rama çuditi shqiptarët kur s’i hoqi imunitetin Ballukut

osmani

Profesori Afrim Osmani ka kritikuar qeverisjen dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve, duke u ndalur te tenderat me një ofertë, marrëdhënia mes pushteteve dhe vendimi i Kuvendit për të mos i hequr imunitetin Belinda Ballukut.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Osmani u shpreh se kryeministri Edi Rama po përdor si argument kryesor rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ndërsa, sipas tij, problemet e brendshme të vendit po minimizohen.

Profesori ngriti shqetësimin se një e katërta e tenderave zhvillohen me vetëm një ofertë, duke vënë në pikëpyetje konkurrencën dhe transparencën në prokurimet publike. Ai kritikoi gjithashtu mosngritjen e komisioneve parlamentare të kërkuara nga opozita dhe ndikimin e qeverisë mbi institucionet.

“E vetmja armë që po përdor Rama është: ‘Unë po e çoj vendin në Europë’. E kuptojmë se është rënë dakord që të bëhet një ecje dhe për të thënë disa fjalë të bukura. Çfarë do të thotë që Kuvendi nuk e ndikon fare qeverinë?! Qeveria ka ndikim mbi tre pushtetet. A ka fjalë më të rëndë se fjala korrupsion?! Neve na u mësuan veshët. A ka gjë më të rëndë se një e katërta e tenderave të bëhen me një ofertë? Them me vete: ku e gjejnë këtë guxim që të bëjnë një tender me një ofertë?

Autokracia e përdorur në çdo hap, mosngritja e komisioneve parlamentare që kërkon opozita, që është e drejtë kushtetuese, nuk e di, s’ka gjë më të rëndë. Por kur duhet të flasë Kuvendi?! Çfarë pritet? Të thuhet që qeveria vret?! Rama do të minimizojë peshën e gjërave. Për sa kohë ai gjeti guximin dhe nuk ia hoqi imunitetin Ballukut, dhe ai e bëri me vetëbesim. Çuditi gjithë vendin.”, tha Osmani.