Skip to content

Fjalët e harruara e gati profetike të këtij hebreu mbi Izraelin e sotëm…

a5b5bdcb7f983bb37dd7a74f302bc407072fb819

Pesëdhjetë vjet më parë, një studiues hebre i Biblës paralajmëronte se një shtet që detyrohet të jetojë gjithmonë përmes forcës ushtarake rrezikon të humbasë vetë identitetin e tij hebraik.

Uriel Simon, intelektual i së majtës fetare izraelite, kritikonte militarizmin, arrogancën kombëtare dhe indiferencën ndaj padrejtësive të ushtruara kundër arabëve. Fjalët e tij, të shqiptuara në një intervistë për gazetën Haaretz në vitin 1976, marrin një domethënie të veçantë në dritën e realitetit të sotëm në Izrael.

Prof. Uriel Simon, i cili ndërroi jetë më 30 shtator, në moshën 97-vjeçare, ishte një prej përfaqësuesve më të spikatur të judaizmit të moderuar fetar.

Ai ndërthurte kërkimin shkencor mbi tekstet biblike me angazhimin politik dhe përpjekjet për paqe, duke u përballur me rritjen e nacionalizmit fetar dhe lëvizjen e kolonëve izraelitë.

Në vitin 1974, dy vjet përpara intervistës së tij për Haaretz, Simon ndihmoi në themelimin e lëvizjes Oz VeShalom, e njohur si përfaqësuese e së majtës fetare, e cila synonte të krijonte një kundërpeshë ndaj lëvizjes kolonizuese Gush Emunim.

Më vonë, ai u bë një prej figurave kryesore të partisë politike Meimad. I pyetur se si një njeri fetar mund të mbështeste kompromisin diplomatik, paqen dhe luftën kundër racizmit, përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: “Judaizmi ka shumë dimensione”.

I lindur në vitin 1929 në lagjen Rehavia të Jerusalemit, Simon vinte nga një familje intelektualësh. Babai i tij, Ernst Akiva Simon, filozof dhe pedagog i ardhur nga Gjermania, kishte qenë pjesë e Brit Shalom, një lëvizje intelektualësh që kërkonin pajtimin me arabët.

Pas studimeve në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, Uriel Simon ndërtoi një karrierë të gjatë akademike në Universitetin Bar-Ilan, ku u bë një prej studiuesve më të njohur të analizës letrare të rrëfimeve biblike dhe interpretimeve mesjetare të Biblës.

Por trashëgimia e tij nuk kufizohet te studimet fetare. Paralajmërimet politike dhe morale që ai artikuloi gjysmë shekulli më parë mbeten pjesa më e debatueshme dhe, në shumë aspekte, më aktuale e mendimit të tij.

“Një vend që detyrohet të jetojë gjithmonë përmes shpatës nuk mund të jetë shtet hebre, sepse militarizmi, izolimi, bindja se ke gjithmonë të drejtë dhe arroganca do ta korruptojnë nga brenda”, deklaronte Simon në intervistën e vitit 1976.

Në vitin 1984, Simon botoi një artikull me titullin domethënës “Frika nga Zoti, pa frikën e mëkatit”, në revistën e lëvizjes së kolonëve hebrenj. Në të dënonte terrorizmin hebre dhe kërkonte që shkaqet e tij, pavarësisht justifikimeve fetare, të identifikoheshin dhe të luftoheshin.

Në librin e tij të vitit 2002, Kërkoni paqen dhe ndiqeni atë, Simon u përpoq të paraqiste një interpretim alternativ të vlerave të besimit hebraik, në kundërshtim me ndikimin e religjiozitetit militant mbi ndërgjegjen publike.

Për të, paqja nuk ishte thjesht një zgjedhje praktike apo një formulë diplomatike, por një detyrim moral dhe fetar. “Kërkimi dhe ndjekja e paqes nuk është një këshillë e mirë, por një urdhërim, njësoj si detyrimi për t’iu shmangur së keqes dhe për të bërë të mirën. Bekimet e paqes janë të shumta, por motivimi kryesor për ta kërkuar dhe për t’u përpjekur ta arrijmë atë nuk duhet të jetë pragmatik, por moral”, shkruante ai.

Uriel Simon iku nga kjo botë pa e parë nëse paralajmërimet e tij do të dëgjoheshin ndonjëherë. Por fjalët e tij mbeten një sfidë e drejtpërdrejtë për Izraelin e sotëm. A mund të pretendojë një shtet se mbron identitetin, historinë dhe moralin hebraik, ndërkohë që e kthen forcën ushtarake në parimin e tij të përhershëm të ekzistencës? \\