Skip to content

“Reforma zgjedhore duhet të miratohet brenda 6 muajve”, Enri Çeno: Progres-raporti kërkon gjithëpërfshirjen e opozitës, ndryshimet në Kongresin amerikan mund të prekin edhe Shqipërinë

46456456

Enri Çeno, sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, komentoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke u ndalur te nevoja për një reformë të re zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe roli që duhet të ketë opozita në procesin e integrimit.

Çeno theksoi se raporti kërkon në mënyrë të drejtpërdrejtë një reformë të re elektorale, ku të përfshihen të gjitha palët politike. Sipas tij, opozita duhet të jetë pjesë e procesit për hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor, i cili t’u japë qytetarëve më shumë mundësi për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Ai e cilësoi reformën zgjedhore urgjente, duke pasur parasysh se zgjedhjet vendore janë dekretuar për 9 maj 2027 dhe ndryshimet duhet të miratohen në përputhje me afatet kushtetuese.

Gjatë intervistës, Çeno u ndal edhe te problematikat e evidentuara në raportin e progresit, veçanërisht korrupsioni në nivele të larta, funksionimi i demokracisë, klima politike dhe liria e medias. Ai tha se raporti duhet parë së bashku me dokumentet e tjera ndërkombëtare, përfshirë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe gjetjet e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian.

Një pjesë të diskutimit ia kushtoi edhe zgjedhjeve të fundit të mesmandatit në SHBA dhe ndikimit të tyre në rajon. Çeno u shpreh se ndryshimet në mazhorancën e Dhomës së Përfaqësuesve mund të sjellin ndryshime në drejtimin e komisioneve të Kongresit dhe në prioritetet e mbikëqyrjes parlamentare.

Ai përmendi në veçanti kongresistin Robert Garcia, i cili pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Mbikëqyrjes, duke theksuar se hetimet e ardhshme mund të përfshijnë edhe figura të lidhura me administratën Trump dhe të dërguar të posaçëm amerikanë në rajon.